Radio Star mëson nga burime të sigurta brenda klubit se Debatik Curri është përzgjedhur për të marrë drejtimin e SC Gjilanit, pas dorëheqjes së trajnerit Ardian Nuhiu.
Sipas informacioneve tona, marrëveshja mes palëve është arritur dhe pritet të zyrtarizohet gjatë orëve në vijim. Curri, ish-lojtar i Kombëtares së Shqipërisë dhe trajner me përvojë në KF Suhareka, do të marrë përgjegjësinë për ta udhëhequr skuadrën në vazhdimin e edicionit aktual të Superligës.
Burimet brenda klubit theksojnë se drejtuesit kanë besim të plotë në përvojën dhe autoritetin e Currit për të rikthyer stabilitetin dhe për të fuqizuar skuadrën në garën për objektivat sezonalë.
Zyrtarizimi pritet të bëhet shumë shpejt nga SC Gjilani, ndërsa trajneri i ri pritet ta drejtojë ekipin që nga ndeshja e ardhshme./Radio Star/