Zyrtarët e SBASHK-ut takojnë ata të PDK-së, marrin një premtim të madhShare Button Gazeta Blic Përfaqësuesit e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës kanë takuar përfaqësuesit e Partisë Demokratike të Kosovës.
Ata shprehën shqetësimet e tyre para shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri dhe deputetes nga ky subjekt politik, që është edhe anëtare e Komisionit parlamentar për arsim, Eliza Hoxha.“SBASHK-u është përfaqësuar në këtë takim nga kryetari Rrahman Jasharaj dhe koordinatori për organizim të brendshëm Ymer Ymeri, të cilët, ashtu si në takimet tjera me shefat e Grupeve Parlamentare, kanë shprehur shqetësimet e tyre lidhur me fatin e Ligjit të pagave duke kërkuar që deputetët nga subjektet politike bashkë me kolegët e tyre nga subjektet tjera politike të angazhohen që në Ligjin për buxhet të planifikohet buxhet që do të mundësonte implementimin e Ligjit të pagave”, thuhet në njoftimin e SBAShK-ut.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, citohet të ketë premtuar se do të angazhohen maksimalisht që në debatin parlamentar të japin kontribut bashkë me subjektet tjera politike që të krijohet mbështetje buxhetore për Ligjin e pagave dhe të shtohen angazhimet që ky ligj të përgatitet dhe në kohën më të shkurtër të mundshme të nis së implementuari.“Deputetja dhe anëtarja e Komisionit parlamentar për arsim, Eliza Hoxha ka shprehur gatishmërinë që të organizohen takime në këtë Komision dhe të bashkëbisedohet për gjithë çështjet në arsim duke bërë angazhime të përbashkëta në shërbim të arsimit dhe ngritjes së vazhdueshme të cilësisë”, thuhet në njoftim.SBASHK është në pritje të takimit edhe me shefin e Grupit parlamentar të LDK-së për ta përmbyllur aktivitetin e takimeve me shefat e Grupeve Parlamentare. Para disa ditëve ka takuar edhe përfaqësues të Vetëendosjes dhe AAK-së.