Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për të parin e Malishevës, Bajrush Hoti, ka komentuar rezultatin e zgjedhjeve të 14 shkurtit ku Lëvizja Vetëvendosje doli fituese.
Hoti fitoren e Vetëvendosjes e quajti frymë mashtruese të kësaj partie duke thënë se përkrahja qytetare për ta është çdo ditë e në rënie.
“Ishte një frymë mashtruese e vet Vetëvendosjes dhe ajo për ditë e më tepër është në rënie sepse edhe qytetarët e panë se ajo nuk është një realitet ajo nga e cila u mashtruan”, u shpreh Hoti në “Edicioni Special” në Klan Kosova.
Tutje, ai tha se po takojnë çdo ditë ish përkrahës të Vetëvendosjes e që po kthehen në LDK.
“Ne, çdo ditë kontaktojmë me qytetarët dhe pakënaqësia e tyre është jashtëzakonisht e madhe e ne do të marrim votë edhe nga PDK-ja edhe nga NISMA edhe nga Vetëvendosja. Ne çdo ditë takojmë edhe ish përkrahës të Vetëvendosjes që po kthehen në Lidhjen Demokratike të Kosovës”, tha ai.