Aksidenti i rëndë ka ndodhur rreth orës 05:40 në autostradën në drejtim të Zagrebit, ndërmjet Jarek Bisaški-t dhe Podvorecit në qarkun e Varazhdinit. Një autobus me targa polake ka dalë nga rruga. Policia konfirmoi se 12 persona humbën jetën. Një tjetër person ka vdekur në spitalin e Zagrebit. Pasagjerët e lënduar me politrauma, u trajtuan në spitalet në Varazhdin, Zagreb dhe Çakovec.
Sic raporton HRT, televizioni publik i Kroacisë, gjashtë persona me lëndime të rënda fizike, dy meshkuj dhe katër femra, janë pranuar në spitalin e Dubravës. “Bëhet fjalë për lëndime në kockat e duarve, këmbëve, legenit, shtyllës kurrizore, thyerje të brinjëve dhe lëndime të kockave të fytyrës”, thotë mjeku Domagoj Vergles. Ai shtoi se këto janë lëndime potencialisht të rrezikshme për jetën.
“Gjendja e dy pacientëve është stabile, dhe katër pacientë janë në gjendje jostabile. Të gjithë kërkojnë trajtim kirurgjik. Një operacion tashmë ka filluar”, tha mjeku, duke treguar se operimi i tyre po bëhet sipas urgjencës së rastit./hrt/