15 vjet, gjashtë muaj dhe 12 ditë pas vrasjes tragjike të Diana Kastratit, nëna e saj, Makfire Kastrati, ka ndarë një mesazh mjaft prekës në Facebook për të kujtuar vajzën e saj dhe dhimbjen e pashuar që lë pas një humbje e tillë.
Përmes këtij reagimi, ajo riktheu edhe një herë në vëmendje dështimin e institucioneve për t’i ofruar mbrojtje Dianës.
Rreth një muaj përpara ngjarjes fatale, Diana i ishte drejtuar gjykatës me kërkesë për urdhër mbrojtjeje emergjente, një thirrje për ndihmë që u shpërfill nga sistemi.
“15 vjet e 6 muj e 12 ditë pa vajzen time Diana, 15 vite nuk u bë e mundur te ndaloj vrasësin shteti, qe ju lut Enver shabanit per urdhër mbrojtje po aj as që veproj për ta mbrojt e negëlizhoj?Dianën ku ishte shteti
Si pas asaj Valdete Daka e ngriti pozit ma te lart, unë qka i thash Valdetes a keni fmi ajo mu përgjigj po kamë i thash qysh po vajtoj mbi varrin e vajzes time ashtu vajtofsh edhe tiiiii ju ndru qehrja kur e preka ne fmi se ishte nan grua, nuk u bë asgj për vajzen time Diana
Emri yt nuk harrohet kurr zemra nonës Diana deri sa te mbuloj dheu ziiii”, ka shkruar nëna e të ndjerës.
Ndërkohë, rasti i vrasjes së Diana Kastratit ka marrë një zhvillim të ri në drejtësi. Pas 15 vjetësh nga krimi dhe tri vjetësh nga ngritja e aktakuzës, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar që gjykimi ndaj Adnan Jasharit të zhvillohet në mungesë, pasi institucionet nuk kanë arritur ta sigurojnë praninë e tij.
Jashari dyshohet se në maj të vitit 2011, në Prishtinë, e kishte vrarë me armë zjarri ish-partneren e tij, Dianën. Sipas aktakuzës, ai e kishte qëlluar dy herë, duke e goditur në qafë.
Diana ishte vrarë më 18 maj 2011, vetëm 22 ditë pasi kishte kërkuar mbrojtje emergjente nga Gjykata Komunale në Prishtinë, pas kërcënimeve të pretenduara ndaj saj dhe vajzës. Sipas të dhënave të publikuara për rastin, kërkesa nuk ishte trajtuar brenda afatit ligjor prej 24 orësh.
Në shkurt të vitit 2013, Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar shkelje të së drejtës për jetë të Diana Kastratit, si pasojë e mosveprimit të gjykatës. Ndërsa, në shkurt të vitit 2023, Gjykata e Apelit kishte vendosur që Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Qeveria t’u paguanin prindërve të saj 30 mijë euro dëmshpërblim.
Seanca fillestare ndaj Adnan Jasharit pritet të mbahet gjatë këtij muaji, ndërsa gjykata i ka bërë thirrje të dorëzohet dhe të paraqitet para saj.










