Brenda 24 orëve janë raportuar 17 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv, duke e çuar në 1803 gjithsej nga fillimi i pandemisë.
Numri total i rasteve pozitive është 84.498 raste nga 397.347 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 764 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 69.887 raste, kurse numri i rasteve aktive është 12.808.
Dje janë raportuar 781 raste pozitive, që paraqet numrin më të madh të rasteve pozitive.
Vetëm në Prishtinë janë raportuar 243 raste pozitive.
IKSHP thotë se numri i rasteve pozitive dhe vdekjeve nga COVID-19 vazhdon të jetë i lartë dhe brengosës si pasojë e drejtpërdrejtë e neglizhimit të masave.
“Mjekët të stërngarkuar në spitale po luftojnë kundër këtij virusi tinëzar e shkatërrimtar me tërë fuqinë e tyre profesionale e njerëzore”, thotë IKSHP.
Instituti përsërit thirrjen për zbatimin e të gjitha masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.
Rekomandimet e IKSHP:
1. Të qëndrohet në shtëpi, dhe dalja të jetë vetëm për nevoja të domosdoshme;
2. Ndalimi rigoroz i takimeve me njerëz me të cilët nuk jetoni në bashkësi, pos për qëllime specifike;
3. Ndalimi rigoroz i tubimeve;
4. Respektimi rigoroz i masave kufizuese në aktivitetet publike;
. Kufizimi i punës për veprimtaritë jo-esenciale dhe vend-ngjarjet duke reduktuar edhe kohën e punës gjatë ditës.
IKSHPK vlerëson se këto masa mund të ndërprenë rritjen e numrit të rasteve, të parandalojnë mbingarkesën e hospitalizimeve dhe të parandalojnë rritjen e numrit të vdekjeve.
IKSHPK apelon tek të gjithë qytetarët, institucionet dhe organizatat publike dhe private, për respektimin dhe ndërmarrjen e të gjitha masave të nevojshme për parandalimin, menaxhimin dhe kontrollin e infeksionit COVID-19, duke marrë parasysh dispozitat e Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, dhe vendimet në fuqi mbi masat dhe obligimet e institucioneve për zbatimin e masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19. /Reporteri.net/.