Lajme

Mjeku nga Kosova që mori vaksinën në Kukës: S’ka shpëtim nga pandemia pa vaksinim

Gojart Ferati është një nga mjekët kosovarë që mori vaksinën kundër COVID-19 në Kukës, me organizim të Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë. Ai në një intervistë për Ekonomia Online , tha që nuk ka hezituar ta marr këtë vaksinë, pasi kjo është mënyra e vetme për ta kaluar pandeminë.

“Ne kemi qenë për vaksinim në javën e kaluar, ditë e shtunë, me organizim të Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, në bashkëpunim me Qeverinëë e Shqipërisë, jemi shku në formë të organizuar, kemi qenë vullnetar, unë s’kam hezituar në asnjë moment për këtë vaksinim, gjithçka ka shkuar shumë mirë, ka qenë një organizim shumë i mirë dhe unë jam falënderues organizatorëve”, tha ai.

“E the edhe vet ndoshta pse jemi personel shëndetësor për ne është shumë ma e lehtë me marrë një vendim të tillë por megjithatë për mua ka qenë një vendim sikur për një punë të zakonshme kur zgjohemi në mëngjes për të ardhur në punë. Prej fillimit të pandemisë, unë kam thënë në momentin që del një vaksinë do të jem i pari që do ta marr. Pasi vaksinat vinë nga institucionet që kanë me vete shumë shkencëtarë e studiues që merren me zbulimin e vaksinave, prandaj ju besoj përderisa janë organizata botërore të implikuar aty. Unë kam besim te shkenca, prandaj ka qenë shumë e lehtë për mua të vendos për marrjen e vaksinës”, theksoi ai.

Ferati tha se që prej marrjes së vaksinës nuk ka vërejtur ndonjë efekt anësor. Tutje ai tha se kjo vaksinë ka të njëjtin efekt si ato ndaj gripit.

“Njëra nga shtatë llojet që e marrim nga këto vaksinat anti-Covid qoftë Astrazeneca, Pfizer, cila do që marrim është e njëjta me vaksinat që marrim gjatë moshës së fëmijërisë dhe adoleshencës. Thjesht ka rastësisë që është një pandemi, dhe kemi sot teknologjinë më të zhvilluar dhe njerëzit kanë lexua ma shumë, frika për atë dhe është rrit, përndryshe është në çdo aspekt i njëjtë me vaksinat tjera, si mënyra e marrjes dhe gjithçka tjetër. Efekte anësore absolut nuk ka pasë, thjesht efekte si çdo vaksinë tjetër, si temperaturë, kokë dhimbje, dhimbje në vendin e injektimit, por janë shenja që mundet me i pasë disa prej vaksinave tjera që janë. Unë nuk kam pasur asnjë prej këtyre simptomave”, deklaroi ai.

Ai thekson që nuk ka pasur asnjë hezitim për këtë vaksinë, dhe shpjegon që edhe nëse manifestohen simptomat e sëmundjes Covid, nuk kanë me qenë me fatalitet.

“Nëse hynë në literaturën shkencore edhe e sheh që aty e përshkruan që edhe nëse manifestohen simptomat e sëmundjes sarsCov-2 prapë se prapë s’kanë me qenë me fatalitet ose aq të rënda sa i ka sëmundja në realitet, kështu që për këtë arsye, unë nuk kom pasë asnjë hezitim me marrë vaksinën”, theksoi tutje Ferati.

Mes tjerash mjeku thotë që i ka rastisur të takojë shumë njerëz që hezitojnë ta marrinë këtë vaksinë, prandaj ai apelon tek qytetarët që të mos frikësohen si pasojë e propagandës së krijuar kundër vaksinave, por të bazohen në fakte shkencore.

“Në përgjithësi kolegët e mi mjek janë pro vaksinimit, po m’ka rastësisë me hasë në njerëz që kanë hezitu dhe kanë pasur teori të konspiracionit, deri te futja e çipit, por i kisha lutë të gjithë që të bazohen në fakte shkencore dhe të mos merren me gojëdhënat që janë në popull me pranua vaksinën, vetëm të lutemi që vaksina të na vije sa më shpejt në Kosovë”, u shpreh ai.

“Nëse nisemi për familje, unë besoj se duhet me iu shërbye atyre sikur lider për shkak se unë kam qenë ia që e kam marr pa hezitim, nëse unë kom besuar me marrë edhe familja nuk ka me hezituar me marrë, ata e presin me pa durim”, tha Ferati.

Sipas Feratit pandemia nuk do të përfundojë nëse nuk imunizohemi dhe vaksinohemi.

“Kur e kemi fillu pandemi, popullata ka mendua që nuk është diçka serioze, pandemia zgjati më shumë se sa që e menduam dhe nuk po e shohim fundit. Ndoshta jemi lirua pak më shumë se që duhet. Nuk e shoh fundin e pandemisë pa u bërë imunizimi në masë të madhe, dmth vaksinimi”, përfundoi ai.

Shiko tekstin me te zgjeruar

Related Articles

Back to top button
Close