Në Kosovë ditëve të fundit ka rënë numri i rasteve të reja krahasuar me 3 javët e fundit ku ka pasur një rritje të madhe të rasteve pozitive.
Dje në Kosovë janë testuar gjithsej 459 pacientë të dyshuar se janë të infektuar me coronavirus dhe prej tyre 103 kanë rezultuar pozitivë.
Numri total i rasteve pozitive me coronavirus ka shkuar në 5472 derisa prej tyre janë shëruar gjithsej 2640 pacientë.
Duke llogaritur numrin e pacientëve të shëruar (2640) dhe vdekjeve nga koronavirusi në Kosovë që janë gjithsej 124 raste, atëherë numri i rasteve aktive është 2708.
Prishtina është qyteti me më së shumti raste aktive në Kosovë, ndërsa së fundmi kryeqyteti ka siguruar testet serologjike me të cilat do të hetohet edhe imuniteti i popullsisë.
Nga 2708 raste aktive sa janë gjithsej, mbi 315 pacientë po trajtohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Klinikën Infektive dhe Spitalet Rajonale.
Në konferencën e djeshme, kreu i Ministrisë së Shëndetësisë dhe drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, Naser Ramadani thanë se kanë rritur kapacitetet edhe në disa spitale rajonale.