Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës është rritur numri i aksidenteve në trafik. Vetëm gjatë 24-orëve të fundit në Kosovë janë shënuar 39 aksidente trafiku me persona të lënduar, ndërsa 58 me dëme materiale.
Policia e Kosovës ka dhënë detaje për shtatë prej tyre, raporton teve1.info
Aksidenti i parë i cekur në raportin 24-orësh ka ndodhur në rrugën Gjilan – Kamenicë, ku dy vetura janë përplasur mes vete. Policia thotë se si pasojë lëndime trupore kanë pësuar dy drejtuesit e veturave, ku më pas të njëjtit janë dërguar për tretman mjekësor.
Edhe në aksidentin e dytë që ka ndodhur në Ferizaj, janë përfshirë dy vetura, ku përveç dëmeve materiale, lëndime trupore kanë pësuar edhe dy persona, të cilët kanë pranuar tretman mjekësor.
Në Kaçanik, një person duke drejtuar automjetin nga pakujdesia ka shkaktuar aksident trafiku, ku për pasojë kanë marrë lëndime trupore dy persona, ku të njëjtit janë detyruar të marrin tretman mjekësor.
Aksident trafiku është regjistruar edhe në Shtërpcë, ku dy persona janë lënduar si pasojë e përplasjes mes dy veturave. Të lënduarit kanë pranuar tretman mjekësor.
Aksidente trafiku janë shënuar edhe në Prizren dhe Skenderaj.
“Prizren 23.07.2023-19:00. Viktima femër kosovare është dërguar në QKUK, për trajtim mjekësor pasi që e njëjta ishte përfshirë në një aksident trafiku. Rasti në procedurë hetimore.
Skenderaj 23.07.2023. Raportohet për një aksident trafiku në mes dy automjeteve me targa vendore, me drejtues meshkuj kosovarë.Përveç dëmeve materiale lëndime trupore kanë pësuar pesë persona të cilët kane pranuar tretman mjekësor”, thuhet në raportin e Policisë.
Ndërkaq, gjatë 24 orëve të fundit është shënuar edhe një aksident me fatalitet në Prishtinë.
“Prishtinë 23.07.2023 – 12:58. Ka ndodhur aksident trafiku ku kanë qenë të përfshira dy vetura udhëtarësh me targa vendore. Si pasojë e aksidentit lëndime vdekjeprurëse ka pësuar viktima mashkull kosovar, drejtues i veturës, vdekjen e të cilit e ka konstatuar mjeku, ndërsa lëndime trupore kanë pësuar drejtuesi i veturës tjetër dhe pesë pasagjerët që kishin qenë në atë veturë të gjithë kosovarë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante policore dhe prokurori i shtetit, të lënduarit janë dërguar në QKUK për tretman mjekësorë, ndërsa trupi i pajetë i viktimës me urdhër të prokurorit është dërguar në IML për obduksion”.
Në mesin e këtyre aksidenteve, është regjistruar edhe një vetaksident në Gjakovë, ku një person nga pakujdesia ka humbur kontrollin, me ç’rast ka goditur veturën tjetër, e cila për pasojë është përfshirë nga zjarri. Policia thotë se lëndime trupore kanë pësuar pesë persona, të cilët janë dërguar për tretman mjekësor.
Ndërkaq, ndaj qytetarëve janë shqiptuar 1 mijë e 245 gjoba që kanë shkelur rregullat e trafikut.