Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se trendi i emigrimit nga Kosova është i një përmase të madhe.
Ai tha se 42,728 persona, apo 2.4% e popullsisë, kanë emigruar gjatë vitit 2021.
“Duhet të bëjmë më shumë për të zvogëluar këtë trend. Tendenca për të emigruar ekziston në të gjitha vendet në rajon, por në rastin tonë përmasat janë të mëdha dhe në rritje nga viti në vit”, ka shkruar Hoti.
Ish-kryeministri thotë se nga Kosova po ikë pjesa reproduktive, e që për pasojë do të ketë një ulje drastike të natalitetit.
“Duke qenë se këta persona janë pjesa më reproduktive e popullsisë, në afat të gjatë kjo shkallë e emigrimit do të shkaktojë ulje drastike, jo të natyrshme, të trendit të natalitetit në vitet dhe dekadat e ardhshme”, ka shkruar Hoti krahas statistikave të publikuara.