Kampionia e Kosovës, Drita, do të përballet sonte me skuadrën malteze Floriana në ndeshjen kthyese të raundit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës.
Ndeshja zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në RTK.
Përballja e parë e luajtur javën e kaluar në Maltë përfundoi me rezultat 1:1, duke lënë gjithçka të hapur për sfidën e kthimit. Drita pati disa mundësi të mira shënimi edhe në ndeshjen e parë, por nuk arriti t’i konkretizojë ato.
Skuadra gjilanase ka zhvilluar përgatitjet e fundit para këtij takimi, ndërsa atmosfera në kamp është pozitive dhe me besim të madh për arritjen e objektivit – kualifikimin në raundin e tretë.
Trajneri Zekirija Ramadani ka theksuar se ekipi është maksimalisht i përgatitur dhe i motivuar për sfidën vendimtare.
“Jemi të mobilizuar të gjithë, nga i pari deri te i fundit, dhe gjithçka është në dorën tonë. Besoj se do të dalim me fitore”, u shpreh Ramadani në konferencën për media në prag të ndeshjes.
Dueli ndërmjet Dritës dhe Florianës nis në orën 20:00.

