Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, së bashku me drejtorin e Teatrit të qytetit, Erson Zymberi, kanë parë nga afër punimet në hapësirat e brendshme që po zhvillohen në këtë objekt.
Kryetari Hyseni ka thënë me këtë rast se është informuar me dinamikën e punimeve aty, duke shtuar se është planifikuar që në javën e fundit e dhjetorit do të përfundojnë punimet.
“Nga drejtori i Teatrit u informova për zhvillimin e punimeve dhe me sa kuptova dinamika e punëve është në nivel të mirë. Kërkova që të rritet dinamika e punëve, ashtu sikur edhe në sheshin “Xhavit Ahmeti”. Në të njejtën kohë, tashmë po diskutojmë edhe për hapësira tjera që i kemi këtu, për ndryshimet eventuale që duhet të bëhen. E rëndësishme është që të bëhet racionalizimi i shfrytëzimit të hapësirave sidomos këtu sepse e dimë që Teatri i Gjilanit është njëri prej teatrove që funksion mirë, ka shumë shfaqje që realizohen dhe është shumë me rëndësi që ta përcjellim këtë dinamikë të punëve me interevenimet e nevojshme në infrastrukturë, në mënyrë që të krijojmë kushte sa më të mira për zhvillim të aktivitetit të artistëve “, ka thënë kryetari Hyseni.
Ndërkaq, drejtori i Teatrit të qytetit, Erson Zymberi, e ka falënderuar kryetarin Hyseni për vizitën dhe ofrimin e mbështetjes komunale.
“Është kënaqësi kur teatri dhe kultura e merr një dinamikë të veçantë karshi jo vetëm aktiviteteve që zhvillohen, por edhe hapësirave apo infrasstrukturës me të cilën ky objekt e ka. Punimet kanë filluar disa muaj më herët me një dinamikë më të ngadaltë, ndërkaq në takimin e fundit që kemi pasur me kryetarin aktual, kemi kërkuar nga operatori që ta shpejtojë dinamikën e punimeve, ku e kam pasur edhe mbështetjen e tij, të cilin e falënderoj shumë”, ka thënë Zymberi.