Ministrja e Ekonomisë dhe Energjisë, Artane Rizvanolli, e cila është duke raportuar për furnizimin e vendit me energji elektrike, ka thënë sot se rritja e çmimit të gazit në tregjet globale, ka bërë që Kosova, rajoni dhe bota të preken nga kriza energjetike
Në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, ajo tha se një ndër sfidat kryesore me të cilat po përballen vendet e rajonit por edhe të botës, sipas saj, është kriza energjetike e cila vjen në radhë të parë si pasojë e rritjes së çmimeve të gazit në tregjet globale.
“Kjo krizë prej disa muajsh e ka prekur rajonin. Vendet në rajon të gjitha pa përjashtim janë të prekura dhe shumë më shumë se ne, Shqipëria për shembull ka disa muaj që është prekur për shkak se kanë importuar më shumë energji dhe deri më tani i kanë ndarë 180 milionë euro në formë të garancisë bankare për likuiditetin e sektorit të energjisë”, ka thënë ajo.
Sipas Rizvanollit, çmimi i importit të energjisë në Kosovë është shumë i lartë dhe se gjendja është e jashtëzakonshme.
“Ne kemi pasur një situatë relativisht të mirë, duke qenë se deri nga fillimi i nëntorit jemi mbështetur kryesisht në kapacitetet e tona gjeneruese të KEK-ut dhe këto kanë mjaftuar për ta mbuluar kërkesën vendore. Siç është pritur me ftohjen e motit dhe me rritjen e kërkesës për energji elektrike është rritur edhe kërkesa për import. Çmimi i importit të energjisë elektrike është tejet i lartë, është gjendje e jashtëzakonshme”, ka thënë ajo.
Ajo tha se janë me shpresën që të ketë reshje të shumta atmosferike në Shqipëri dhe të këmbejnë energjinë elektrike me ta pa pasur nevojë që ta blejnë atë me çmim të lartë.