Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se Omicron po “përhapet me një ritëm që nuk e kemi parë me asnjë variant të mëparshëm”, pasi i bëri thirrje botës të përdorë të gjitha mjetet në dispozicion për të luftuar pandeminë e koronavirusit.
“Duhet të jem shumë i qartë: vetëm vaksinat nuk do të nxjerrin asnjë vend nga kjo krizë”, tha drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, shkruan Euronews, transmeton Klankosova.tv.
“Nuk janë vaksina në vend të maskave, distancimit, ventilimit ose higjienës së duarve. Bëni të gjitha. Bëjeni vazhdimisht. Bëjeni mirë,” tha ai në një konferencë për media, të martën.
Ai theksoi edhe një herë pabarazinë e vaksinave, me shumë vende perëndimore që garojnë për të hapur fushata për nxitjen e vaksinave, ndërsa shumë kombe më të varfra ende nuk i kanë administruar dozat e para.
“Më lejoni të jem shumë i qartë: OBSH-ja nuk është kundër dozave përforcuese. Ne jemi kundër pabarazisë së vaksinave,” tha Tedros.
Ai theksoi se 41 vende ende nuk kanë arritur të vaksinojnë 10 përqind të popullsisë së tyre dhe 98 vende nuk e kanë arritur shifrën prej 40 përqind.
“Nëse i japim fund pabarazisë, i japim fund pandemisë. Nëse lejojmë që pabarazia të vazhdojë, ne lejojmë që pandemia të ecë përpara,” këmbënguli ai.