Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka pritur në takim përfaqësuesit e klubeve të futbollit, FC Drita dhe Sc Gjilani, përkatësisht Feti Murseli, Valon Zymberi dhe Sevdail Robelli, me të cilët ka diskutuar lidhur me procesin e përfundimit të projektit për rregullimin e stadiumit të qytetit.
Kryetari Hyseni ka theksuar janë duke punuar që ky projekt të përfundojë sa më shpejt, ndërkaq ka kërkuar nga punëkryesi që ta shtojë dinamikën e punimeve për këtë projekt tepër të rëndësishëm për Dritën dhe Gjilanin.
“Për këtë projekt jemi në kontakt të vazhdueshëm me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në mënyrë që të përfundojë sa më shpejt”, ka thënë kryetari Hyseni.
Përfaqësuesit e klubeve kanë falënderuar kryetarin Hyseni për pritjen, duke shtuar se ky fakt dëshmon seriozitetin dhe dëshirën për përfundimin sa më të shpejt të projektit të stadiumit të qytetit, standardizimi i të cilit do të jetë mundësi e madhe për Dritën dhe Gjilanin.