Sipas një marrëveshje që pritet të nënshkruhet në fillim të javës së ardhshme, Kosova do t’ia lëshojë me qira 300 qeli burgu Danimarkës. Destinacioni i danezëve pritet të jetë Qendra Korrektuese e Gjilanit.
Por Ministria e Drejtësisë ende nuk ka vendosur se ku do t’i transferojë të burgosurit e Gjilanit. Këshilltari ligjor i Ministrisë së Drejtësisë, Eris Hana, tha se kjo ministri është duke punuar që të gjejë mënyra efikase për transferimin e të burgosurve.
“Jemi në bashkëpunim me Shërbimin Korrektues të Kosovës, t’i ndjekim të gjitha procedurat e brendshme dhe të gjejmë mënyrat më efikase për transferimin e tyre në institucionet tjera korrektuese”, tha ai në RTV Dukagjini.
Marrëveshja Kosovë – Danimarkë që duhet të ratifikohet në Kuvend dhe pritet të ketë kohëzgjatje prej 10 vitesh, sipas MD-së, do t’i sjellë Kosovës fitim në vlerë prej 210 milionë eurosh.