“Duke marrë parasysh që festat e fund vitit po afrohen njësiti i policisë në komunitet stacioni policor në Gjilan me qëllim të senzibilizimit të qytetareve për mospërdorimin e mjeteve piroteknike ka filluar me vendosjen e posterëve “FESTO ME ZEMER JO ME ARME”, ka bërë me dije Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan.
Sipas tij, posterët jane vendosur në pjesët më të frekuentuara nga qytetarët me qëllimin që ata të kenë mundësi t’i shohin dhe lexojnë ato dhe te marrin njohuri edhe për intervalin e lejuar të shitjes dhe përdorimit të kontrolluar te tyre.
“Pjesë e kësaj fushate është edhe shtimi i prezencës policore në ambiente të hapura, në sheshe, qendra tregtare, në lokale të ndryshme, ku mbahen organizime festive, si dhe në trafikun rrugor që festat e fund vitit të kalojnë pa incidente dhe aksidente në rrugë”, ka thënë zëdhënësi Hashani.
Ai shtoi se policia përmes kësaj fushate apelon te qytetarët që të shtojnë kujdesin për sigurinë e tyre dhe të tjerëve.
“Përdorimi i armëve në festa dhe gëzime mund të shndërrohet në tragjedi, po ashtu është edhe e ndaluar me ligj.
Policia Rajonale e Gjilan do të shpërndajë fletëpalosje dhe do të vazhdojë me këto aktivitete edhe në komunat tjera: Viti, Dardanë, Ranillug, Novobërdë, Kllokot dhe Partesh, me qëllim parandalimin e incidenteve të mundshme”, ka thënë toger Ismet Hashani.