Ish-kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, nuk po pajtohet që qeveria e Kosovës i ka ndarë Gjilanit vetëm 700 mijë euro për investime.
Madje, sipas Hazirit, kjo qeveri e ka larguar kujdesin buxhetor ndaj Gjilanit.
“Nëse e krahason se me cfarë buxheti i hynë kjo qeveri në Gjilan, është për të ardhur keq. Vetëm 700 mijë euro. Është largu kujdesi buxhetor ndaj Gjilanit, s’është dhënë siguri për
Autostradën, për rrugën qarkore të Gjilanit, për obligimet kontigjente të cilat lidhen kryesisht me shpronësime e aspekte të tjera”, ka thënë Haziri për Politiko të Kanal 10.
“Më vjen keq që rrezikohen që të vonohen autostrada e stadiumi sepse nuk mund të ndërpriten”, ka shtuar ai.
“Kanë shkaktu pasiguri te projektet që unë i kam sjell në Gjilan”, tha Haziri.
Haziri ka theksuar se ndjehet gjithmonë falënderues për mbështetjen qytetare, duke thënë se Gjilani i ka dhënë shumë.
“Gjilani m’ka dhënë shumë dhe i mbetem edhe më tutje në shërbim në mënyrë që të realizohet ajo listë e madhe e investimeve të cilat janë në zbatim”, pohoi ai.
“Qytetarët e kanë zgjedhur LDK-në si parti fituese që është larg VV-së si parti politike, ndërkaq për kryetar e zgjodhën z. Alban Hyseni”, tha Haziri.