Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për shpalljen e masave emergjente për kufizimin me energji elektrike në kohëzgjatje prej 60 ditësh, pas krizës energjetike që ka kapluar së fundmi vendin.
Sipas dokumentit të publikuar nga Zyra e Kryeministrit, masat emergjente në furnizim me energji përfshijnë vendosjen e kufizimeve në furnizim me energji për konsumatorët dhe vendosjen e obligimeve të veçanta për ndërmarrjet e energjisë.
Qeveria poashtu përmes këtij vendimi ka vendosur edhe për themelimin e Komitetit Teknik Emergjent në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë me qëllim të identifikimit dhe paraqitjes së rekomandimeve Ministres së Ekonomisë.
E ky Komitet do të përbëhet nga një përfaqësues i Ministrisë së Ekonomisë, një nga ZRRE, një nga KOSTT, një nga KEK-u, një nga KEDS, një nga KESCO, një nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësis dhe Tregtisë, një përfaqësuese nga MPB-ja, një nga Komisioni për Miniera dhe Minerale dhe një anëtarë nga Autoriteti Kosovar i Konkurrencës.
Ky Komitet në përputhje me Udhëzimin Administrativ Nr. 04/2017 mbi Rregullat për Masat Kufizuese të Furnizimit me Energji në Situata Emergjente, identifikon dhe rekomandon zbatimin e masave për t’i trajtuar efektet negative të rrethanave të krijuara, duke përfshirë: vendosjen e kufizimeve mbi aktivitetet komerciale që kanë të bëjnë me burime të caktuara të energjisë; vendosjen e kushteve të veçanta komerciale; kufizimi i tregtimit të energjisë ose vendosjen e kushteve të veçanta për tregtimin e energjisë; te detyrojë prodhimin e energjisë që do të ndodhë në objekte të saktësuara të prodhimit; dhe të vendosë detyrime për furnizim me energji për konsumatorë të caktuar.