Gjilan, 24 Dhjetor 2021– Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ju njofton se në koordinim me Njësinë Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, në Gjilan, janë ndaluar dy persona, në kohëzgjatje prej 48 orësh, i dyshuari me inicialet T.S. – ish drejtor i Shëndetësisë në komunën e Novobërdës dhe i dyshuari me inicialet A.R. – pronar i kompanisë ‘’AWA Sh.p.k’’, në Prishtinë.
Bazuar në hetimet e deritanishme, ekziston dyshimi se kompania e lartcekur nuk ka furnizuar Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare të komunës së Novobërdës me barna dhe produkte tjera medicinale, por ka lëshuar fatura fiktive se kinse i ka furnizuar të njëjtat.
I dyshuari T.S., me urdhër të prokurorit të shtetit është ndaluar për veprën penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, ndërsa, i dyshuari A.R., dyshohet për veprën penale ‘’Falsifikimi i dokumenteve’’.
Prokuroria Themelore në Gjilan, brenda afatit ligjor ndaj të njëjtëve do të kërkojë masën për sigurimin e të pandehurve në procedurë penale.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.