Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka reaguar sërish për krizën energjetike në vend, pas akuzave që lëshoi sot gjatë një konference për media.
Molliqaj ka thënë se hetimet në lidhje me krizën duhet të ndodhin shpejt dhe se transparenca dhe llogaridhënia janë urgjencë në këtë situatë, shkruan Sinjali.
Postimi i plotë:
Nuk zmbrapsemi. Hetim!
Menaxhmenti i ri i KEK-ut paska reaguar ndaj pyetjeve që i ngritëm ne sot në konferencë, me po të njëjtën gjuhë e shpjegim të KEDS-it. Dallimi është që këta nuk i paskan lexuar fare çështjet që i ngritëm ne, por thjeshtë paskan lexuar atë që e tha KEDS-i.
Pra kemi bashkëkoordinim në mes Qeverisë, Menaxhmenti i ri i KEK-ut, dhe KEDS-it, në mbrojtje të këtij të fundit.
Nëse pyetjet dhe dyshimet e ngritura nga PSD janë të pabaza, atëherë cila është baza e shqetësimit dhe reagimit të KEK dhe KEDS? Investimi në imazh rëndom ndodhë kur ka deficit në argumente dhe besueshmëri.
T’i kthehemi thelbit, përsërisim: hetimet në lidhje me krizën duhet të ndodhin shpejt. Transparenca dhe llogaridhënia janë urgjencë në këtë situatë.
Reagimet akuzuese e sulmuese të KEDS-it dhe menaxhmentit të ri të KEK-ut, veç po na tregojnë që diçka po fshihet. Por jo edhe për shumë gjatë. Beteja për drejtësi dhe llogaridhënie do të vazhdojë.