Kryetari i Partisë së Ashkanlive për Integrim, Hetem Arifi, e ka demantuar njoftimin e zyrtarit të kësaj partie, Gani Elshanin i cili tha se ky subjekt politik ka dalë nga koalicioni qeveritar me Lëvizjen Vetëvendosje.
Në një prononcim për Gazetën Sinjali, Arifi tha se partia e tij do të vazhdojë të qëndrojë në koalicion qeverisës me VV-në dhe se deklaratat e Elshanit nuk qëndrojnë.
“Jo, nuk ka asnjë prishje të koalicionin. Ne nuk kemi dalë nga koalicioni. Nuk qëndron ajo që ka thënë Elshani. Ai nuk është më nënkryetar i partisë, tani është anëtar i Këshillit të Përgjithshëm. Marrëveshja nuk ka qenë për dy zëvendësministra dhe katër këshilltarë, por për një zëvendësministër i cili është emëru. Është emëru edhe një këshilltar, një tjetër nuk është emëru ende, por presim shumë shpejt të emërohet dhe të fillojë detyrën. Por, as kjo nuk do të ndikonte në prishjen e koalicionit”, tha Arifi për Sinjalin.