Ndonëse vetë kryeministri dhe ministrat po bëjnë thirrje për kursimin e energjisë elektrike, mediat në vazhdimësi kanë publikuar fotografi të objektit të Qeverisë së Kosovës natën, ku shiheshin dritat e ndezura.
Mirëpo, sipas ministrit të Financave, Hekuran Muratit, ato drita nuk janë harruar nga dikush, por ka zyrtarë që po punojnë edhe jashtë orarit të punës, shkruan Gazeta Sinjali.
Murati ka thënë se një pjesë e stafit të Thesarit është duke punuar me orar shtesë për t’u siguruar se shtesat për fëmijë, pagesat për lehonat, pagesat për familjet me ndihmë sociale, e shtesat tjera, të kryhen para Vitit të Ri.
Me këtë rast, ai edhe ka bërë thirrje që të kursehet energjia elektrike.
“Po, punon dikush! Një pjesë e stafit të Thesarit është duke punuar me orar shtesë për t’u siguruar se shtesat për fëmijë, pagesat për lehonat, pagesat për familjet me ndihmë sociale, pagesat e subvencioneve për bujqësinë, e shumë pagesa tjera për qytetarët të kryhen para Vitit të Ri. Ju lutem kursejeni energjinë elektrike”, shkroi ai në Facebook.