Prokuroria e ka hedhur poshtë kallëzimin penal kundër kryetarit të Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, avokatit Besnik Berisha dhe tre të tjerëve, të ushtruar nga aktivisti i LVV-së, Bislim Bislimaj, nën dyshimin për montimin e një rasti ndaj tij.
Bislim Bislimaj, zyrtar i Lëvizjes Vetëvendosje – Qendra në Viti, denoncoi Halitin, Berishën dhe tre persona të tjerë për montimin e një rasti kundër tij për “ngacmim seksual” ndaj një të miture.
Por, prokurori i rastit, Halim Borovci e ka hedhur poshtë kallëzimin penal të ushtruar nga Bislimaj kundrejt kreut të Komunës së Vitisë, avokatit Berisha dhe Gëzim Ibrahimit, Arben Jakupit e Jakup Haxhiut.
Sipas prokurorit të Prokurorisë Themelore në Gjilan, në veprimet e të dyshuarve nuk janë gjetur elemente të veprës penale.
“Ju njoftojmë se kjo prokurori, […] me aktvendimi PP.II.nr. 1816/2021 të datës 20.12.2021, e ka hedhur kallëzimin penal kundër të dyshuarve Gëzim Ibrahimi, për shkak të veprës penale Lajmërimi apo kallëzimi i rremë, kundër të dyshuarve Jakup Haxhiu, të dyshuarit Arben Jakupi, të dyshuarit Sokol Haliti, të dyshuarit Besnik Berisha si avokat dhe person përgjegjës i personit juridik, portalit ‘Sinjali’ për shkak të veprës penale Marrëveshje për të kryer vepër penale, Përgaditja për të kryer veprën penale, Shtytje për kryerjen e veprës penale ‘Lajmërimi apo kallëzimi i rremë’”, thuhet në aktvendimin e prokurorit.
Më 6 nëntor, tetë ditë para raundit të dytë të zgjedhjeve komunale, Bislim Bislimaj u ndalua nga Prokuroria e Shtetit nën dyshimin për ngacmimin seksual të një të miture, bazuar në një denoncim të dorëzuar kundrejt tij në prokurori më 4 nëntor.
Megjithatë, Prokuroria e Shtetit nuk gjeti elemente të veprës penale ndaj Bislimajt. Rasti ndaj tij u dyshua si i montuar nga kundërshtarët politik.
Paparaci, publikoi disa komunikime online mes njerëzve të LDK-së në Komunën e Vitisë lidhur me rastin e Bislimajt.
Jakup Haxhiu, një zyrtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Komunën e Vitisë, dyshohet se u implikua në montimin e një rasti për ngacmim seksual kundër Bislim Bislimajt, një aktivisti të Lëvizjes Vetëvendosje.
Disa komunikime të zbardhura të Haxhiut, të realizuara përmes platformës së komunikimit online Viber, tregojnë zyrtarin e LDK-së duke shkëmbyer mesazhe rreth montimit të dyshuar të rastit ndaj Bislimajt të VV-së.
Bashkë-biseduesi i Haxhiut, një person me emrin e viberit Arben Kabashi, i thotë atij se vajza e cila kishte denoncuar rastin do ta akuzojë Bislimajn. Thotë se gjithçka është përgatitur mirë. Në biseda përmendet edhe emri i avokatit Besnik Berisha.
“Edhe ajo thotë që më ka dhunu”, shkruan Kabashi.
“Po mirë”, përgjigjet Haxhiu, zyrtari i LDK-së në Komunën e Vitisë.
“Ma mirë s’ka qysh”, ia kthen personi i prezantuar me emrin Arben Kabashi në platformën Viber. “Sigurt nja dy mij vota ja marrim”, vijon ai.
Bislim Bislimaj ishte arrestua të shtunën e 6 nëntorit nën dyshimin për dhunimin seksual të një të miture. Ai u ndalua në stacionin e policisë. Por, një ditë më vonë Prokuroria e Shtetit përgënjeshtroi rastin. E cilësoi atë të dyshuar si të montuar.
Prokuroria tha se zyrtarit të Lëvizjes Vetëvendosje iu ndërpre ndalimi 48 orësh.
Sipas Prokurorisë, ekzaminimi gjinekologjik i të miturës ka konstatuar se ajo s’ka qenë e keqtrajtuar seksualisht nga Bislimaj. Rrjedhimisht, Prokuroria tha se nuk ka pasur më dyshim të arsyeshëm se zyrtari i LVV-së e ka kryer këtë vepër penale.
“Pas pranimit të raportit gjinekologjik dhe ndërmarrjes së veprime tjera hetimore, Prokuroria Themelore në Gjilan, ndaj të njëjtit e ka ndërprerë masën e ndalimit 48 orësh, pasi nuk ka ekzistuar dyshimi i arsyeshëm se i njëjti ka kryer këtë vepër penale”, thuhej në përgjigjen e Prokurorisë.
Organi i akuzës tha se rasti i 12-vjeçares është raportuar më 4 nëntor në stacionin policor në Viti, por jo për dhunim.paparaci.com