Shkruan: Avni Rudaku
Rruga që tmerron shoferët dhe këmbësorët është rruga e njohur me emërtimin “Rruga e Kronit” – që del shkurtimisht nga rruga e Prishtinës në Spitalin Rajonal të Gjilanit, por edhe në shumë pika të tjera relevante të qytetit. Ka një ujëmbledhës që është prishur për shumë vjet dhe kurrë nuk është rregulluar, duke krijuar një gropë mjaft të thellë, për së gjati.
Po të jetë dikush si shofer i panjohur e nuk e njeh rrugën, gjasat janë të rrezikojë veten dhe të tjerët, pa përjashtuar karterin, maskën e gomat e veturës. Është një nga rrugët më të frekuentuara dhe më të dashura për taksistët, por edhe për shumicën e shoferëve të tjerë dhe udhëtarët. Mbetet një nga pjesët më problematike, qoftë për nga frekuentimi i shpeshtë, qoftë për shkak të rrugës së ngushtë, qoftë për shkak të mungesës së parkingut dhe ndaljen e veturave në rrugë në njërën anë (zgjidhje afatgjatë duhet të bëhet edhe nga banorët, edhe për banorët – sa e vështirë është jetesa në një rrugë aq të kalueshme për çdo ditë, e sidomos për fëmijët), për afërsinë me spitalin, për shkurtimin e rrugëve për në qendrat tregtare e stacionin e autobusëve. Një qytet diskuton për “Rrugën e Kronit” dhe do të habiteni sa shpesh përmendet kjo gropë me ujëmbledhësin e shpupurisur, por mungon aksioni për rregullimin e avarisë disavjeçare. Kushdo që nuk beson, le të kalojë andejpari dhe do të jetë mirënjohës për këtë njoftim publik, që duket asgjë, po që se nuk e kalon këtë rrugë ndonjëherë.
“Rruga e Kronit” me ujëmbledhësin e prishur për shumë vjet, rrezikon këmbësorë dhe shoferë, shkakton dëme teknike të veturave për çdo ditë, për shumë vjet, por për çudi, askush nuk merret me të.
“Rrugën e Kronit” e admirojnë veç automekanikët.
Gjëja e parë e qeverisjes së re lokale duhet të jetë ndjeshmëria, reagimi emergjent dhe rregullimi i pusetave me kapakët prej pishave dhe ujëmbledhësin e Kronit, që po shkaktojnë telashe të mëdha.
Ndonëse nuk do të gëzohen vetëm automekanikët, nëse sanohet “Rruga e Kronit”!