Zëvendëskryeministri Dardan Gashi ka takuar Sekretaren e Byrosë Ndërkombëtare të sigurimeve në Bruksel, Greet Floré për çështjen e lëvizjes së lirë të automjeteve nga dhe në Kosovë.
“Ishte një takim i frytshëm. U dakorduam që për automjetet të cilat vijnë në Kosovë dhe ato që dalin nga Kosova të gjinden rrugë praktike për të zgjidhë pengesat. Sot mora konfirmimin nga znj. Floré se Byroja nuk do të kundërshtoje zgjidhjet që Kosova mund ti arrijë nëpërmjet memorandumeve bilaterale me shtetet anëtare të Kartonit të Gjelbër. Tani topi është tek ne, institucionet e Kosovës dhe Byrosë se Sigurimeve që të ofrojnë zgjidhje praktike”, ka thënë me këtë rast, zv. Kryeministri Gashi.
Sekretarja Floré rekomandoi të përfundohen memorandumet me shtetet fqinje, e në ndërkohë është informuar mbi përparimin e procesit të regjistrimit të automjeteve si dhe mbi progresin e arritjes së marrvëeshjeve me Serbinë dhe shtetet tjera fqinje.
Qeveria e Kosovës është e gatshme të asistojë për lehtësimin e qarkullimit të automjeteve nga Kosova dhe anasjelltas.
Floré, po ashtu u informua që procesi i blerjes online të policave kufitare për veturat që udhëtojnë nga shtetet tjera të Evropës për në Kosovë do të fillojë së aplikuari brenda muajit shkurt.
Në fund të takimit, znj. Floré është ftuar të vizitojë Republikën e Kosovës dhe takimi i ardhshëm të mbahet në Prishtinë.