Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se është infektuar me koronavirus. Me këtë virus është prekur edhe nënkryetari i tij Alban Zogaj.
Po ashtu, ditë më parë, mediat kanë raportuar se me Covid është infektuar edhe ish-kandidati i PDK-së për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili.
Rreth një javë më para, që të gjithë këta ishin takuar për të negociuar për marrëveshjen e koalicionit PDK-LDK në Prishtinë, raporton Demokracia.com.
Ende nuk dihet për fatin e negociatorëve të tjerë, Kujtim Shalës dhe Arben Gashit.
Kreu i Prishtinës përmes një postimi në Facebook pohoi se sapo është njoftuar nga IKSHPK se ka rezultuar pozitiv dhe nuk ka asnjë simptomë për momentin.
“Sapo jam njoftuar nga IKSHPK se kam rezultuar pozitiv me COVID-19. Jam izoluar menjëherë sapo kam kuptuar që kam patur kontakt me persona të cilët kanë rezultuar pozitivë, dhe kam anuluar të gjitha takimet e parashikuara në zyrën e Komunës. Për momentin, nuk kam asnjë simptomë dhe po e vazhdoj punën prej shtëpisë, duke u koordinuar me ekipin tim në mënyrë që proceset e punës të vazhdojnë normalisht gjatë ditëve të ardhshme”, ka shkruar Rama.