Qeveria e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e radhës në të cilën u morën disa vendime.
Një ndër vendimet e marra sot është ai për rritjen e shumës së përfitimit të skemave pensionale të financuara nga shteti nga shumat aktuale në shumën prej 100 euro, për pensionet bazike; pensionet e aftësisë së kufizuar; pensionet familjare; dhe pensionet invalidore të punës.
Me miratimin e këtij vendimi, në Kosovë nuk do të ketë më pensione nën shumën prej 100 eurove.
Të gjitha vendimet:
Një projektligj, një koncept-dokument dhe shtatë vendime të ndryshme nga fusha të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore u miratuan në mbledhjen e 54-të të Qeverisë, të parën për këtë vit.
Në hapje të mbledhjes, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, shprehu keqardhjen për aksidentin e mbrëmshëm të autobusit me udhëtarë nga Kosova, në vendin Kupci i Madh, afër Krushevcit, në Serbi.
“Institucionet e Republikës së Kosovës janë në kontakt të vazhdueshëm dhe do të bëjnë gjithçka dhe çdo gjë, që është e mundur për të ndihmuar të prekurit nga ky aksident”, tha kryeministri.
Në vazhdim të mbledhjes u miratua Projektligji për pronën publike, i cili rregullon të drejtën pronësore publike dhe të drejtat e tjera pasurore të Republikës së Kosovës dhe të njësive tjera të vetëqeverisjes lokale, duke përcaktuar edhe të drejtat, detyrat dhe përgjegjësitë e këtyre subjekteve. Projektligji përkufizon pronën publike, si dhe përcakton formën e deponimit dhe të shfrytëzimit të kësaj prone.
Miratimin e Qeverisë në mbledhjen e sotme ka marrë edhe plotësimi dhe ndryshimi i Vendimit të Qeverisë për Themelimin e Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës çlirimtare në Kosovë. Me ndryshimet e miratuara Leonora Selmani emërohet kryesuese e këtij komisioni, ndërsa Minire Begaj, kryesuese e deritashme emërohet anëtare e këtij Komisioni.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka emëruar Komisionin e përzgjedhjes për rekomandim të kandidatëve për kryetarë dhe të katër anëtarëve të Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik. Alban Nevzati, kryesues, Leonita Shabani – Mullarama anëtare, Isuf Zejna, anëtar, Enis Spahiu anëtar, dhe Imer Shevelli, anëtar.
Në mbledhje u miratua vendimi për themelimin e ‘Njësisë për Ekspertizë’ në kuadër të Sekretariatit Koordinues të Qeverisë të Zyrës së Kryeministrit, si strukturë përgjegjëse qeveritare me qëllim të mbështetjes së institucioneve në fusha specifike dhe deficitare, përmes angazhimit të ekspertëve vendorë dhe të huaj.
Më kërkesë të Ministrisë së Shëndetësisë, është miratuar vendimi për pagesën e specializantëve me vetëfinancim, prej datës 01.01.2022 deri më 31.08.2022.
Është themeluar Këshilli Kombëtar për Ndryshimet Klimatike në kuadër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, i cili është përgjegjës për përcjelljen dhe zbatimin e dokumenteve strategjike dhe planeve të veprimit për ndryshimet klimatike në përputhje me angazhimet në kuadër të Konventës Kornizë të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike, Marrëveshjes së Parisit dhe Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor.
Këshilli përbëhet nga Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe të Infrastrukturës, që do të kryesojë Këshillin; Ministri i Ekonomisë; Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve; Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural; Ministri i Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë; Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal; dhe Ministri i Shëndetësisë.
Vendimi për shqyrtim të mëtejmë të shpronësimit për interes publik është miratuar në mbledhjen e sotme. Ky vendim aprovon shqyrtimin e mëtejmë të shpronësimit për interes publik të pronave të paluajtshme shoqërore të Ndërmarrjes Shoqërore “OPB Mirusha” të cilat preken nga realizimi i projektit për ndërtimin e objektit të Qendrës për pajisje me dokumente dhe të Qendrës për regjistrimin e automjeteve në Malishevë.
Ka marrë miratimin edhe Koncept dokumenti për Agjencinë e Mbrojtjes për Inteligjencë dhe Siguri në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës.