Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut theksoi sot se shtrenjtimi i rrymës mund të hapë rrugë për destabilizim social në Kosovë.
KMDLNj thekson se KEDS –i është shumë insistues ndaj ZRRE–së që të miratoi kërkesën për rritje të faturave për energji elektrike në shumën 30 -40 %.
“Rritja e faturave për rrymën e shpenzuar shkakton një rritje zinxhirore të gjithë artikujve tjerë si dhe thuaja të gjitha shërbimeve që e vështirëson deri në rrezikim të mbijetesës gjendjen e kategorive të rrezikuara ku pensionistët të të gjitha kategorive përbëjnë grupin më të cenueshëm, shkaku i moshës , gjendjes shëndetësore si dhe pensioneve që edhe me rritjen e fundit nuk e kalojnë cakun e një intervenimi social e jo një pension që i përmbushë nevojat elementare dhe që e respekton kontributin e kësaj kategorie të shoqërisë kosovare gjatë jetës dhe punës së tyre”, thuhet në njoftimin e tyre.
Sipas KMDLNj-së, shtrenjtimi i paralajmëruar i energjisë elektrike i krijon të gjitha parakushtet për shprehje të pakënaqësisë qytetare në kërkim të një jete më të dinjitetshme dhe jo prapakthim siç do të ndodhë nëse Qeveria e Kosovës nuk do t’i rrisë pensionet por edhe pagat në përputhje me inflacionin dhe rritje të çmimeve të shportës së shpenzimeve për një familje.
“Nëse nuk kemi rritje të pagave përmes Ligjit për Paga sikur edhe rritje të pensioneve që siguron një jetë minimale të dinjitetshme atëherë do të krijohen rrethanat për një pakënaqësi të përmasave të gjëra që do të përkrahej nga të gjithë pavarësisht përkatësisë etnike, moshës, gjinisë, bindjeve fetare dhe atyre politike”, thuhet ndër të tjera në njoftim.
“Qeveria e Kosovës duhet të krijojë kushte që ata që janë përfitues të skemës sociale, përmes krijimit të vendeve të reja të punës të shndërrohen në kontribuues të Buxhetit të Kosovës”.