Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, në një konferencë me gazetarë, pas takimit të Qendrës Operative Emergjente, i ka ftuar qytetarët e këtushëm për vaksinim me dozat shtesë si dhe për respektim të masave anti-Covid, pasi që kohëve të fundit ka pasur rritje të rasteve.
‘Aktualisht në Gjilan kemi 67 rast aktive, 11 prej tyre janë negativizuar, derisa në spital, të shtrirë me Covid nuk ka asnjë rast.
Sa i përket vaksinimit, deri tani janë administruar 92062 doza, 44081 janë doza të dyta, ndërkaq 1020 janë doza të treta’, ka thënë ai.
Kryetari Hyseni tha se ai personalisht e ka marrë sot dozën e tretë të vaksinës dhe është shprehur inkurajues me faktin që numri i personave të interesuar për të marrë dozën e tretë është në rritje e sipër.
Po ashtu ai njoftoi edhe për përgatitjet që janë duke u bërë për Qendrën Covid në Gjilan, e cila do të aktivizohet nëse paraqitet nevoja.
“Në tri takimet e para të Qendrës Operative Emergjente, është diskutuar edhe për Qendrën Covid në Gjilan, ku jemi në përgatitje e sipër dhe në momentin e parë që shohim se është e nevojshme për trajtim të pacientëve, do ta aktivizojmë atë”, ka thënë ai.
Njëherësh ekipet mobile do të mbeten aktive, për t`iu ofruar ndihmë në shtëpi personave që nuk mund të qasen në ambulanca.
‘Kemi vendosur gjithashtu që të mbajmë ekipet e patronazhit, pra shërbimet mobile, me ç`rast personave që kanë probleme për qasjen në QMF do t`u mundësohet marrja e shërbimeve nëpër shtëpitë e tyre’ ka thënë kryetari Hyseni.