Referendumi i Serbisë dhe sovraniteti territorial i Kosovës
Skena politike në Kosovë, ka jashtëzakonisht shumë nevojë për unitet të brendshëm politik dhe shoqëror në çështje që mund të cënojnë elemente të pavarësisë sonë. Kur themi shtet sovran, nuk themi shtet sovran sipas alternativës, as sovran diskrecional ku merret afirmimi i një shteti tjetër.
E drejta ndërkombëtare idenë e sovranitetit territorial e ka në thelbin e saj, dhe ajo që institucionet tona sot bashkarisht deklaruan është pikërisht insistimi i zbatimit të standardeve të njëjta ndërkombëtare që aplikohen në shtetet tjera demokratike. Shkurt: Qytetarët e Kosovës që kanë edhe shtetësi serbe, mund të votojnë në përputhje me praktikat ndërkombëtare, saktësisht sikurse qytetarët serb në shtetet tjera e bëjnë këtë. Asgjë më shumë e asgjë më pak.
Më vjen mirë që akterë të caktuar nga opozita tashmë kanë reflektuar drejtë mbi këtë çështje. Megjithëse kjo nuk do të duhej as të diskutohej, por ja që trendi i zhvillimeve politike në Kosovë, tregon që jo gjithmonë ka koncensus në të mirën e vendit. Në anën tjetër, duket që për një arsye a tjetrën, ka të tillë që tentojnë që këtë qëndrim të akterëve të lartcekur opozitar politik ose ta ekzagjerojnë në kuptim të një mrekullie të paparë në qëndrim në linjë të njëjtë me pozitën, ose ta minojnë duke e etabluar në një “varësi” të opozitës nga pozita. Për momentin, pak gjëra më kujtohen që janë më pak qesharake se këto dy konstatime.
Kosova tashmë ka dëshmuar dhe vazhdon ta dëshmojë vlerësimin dhe falënderimin që ka karshi shteteve mike të Kosovës. Në ditë si kjo, koncensusi i brendshëm duhet të jetë i padiskutueshëm, derisa bashkarisht kërkojmë mirëkuptimin e miqve dhe aleatëve tanë ndërkombëtar mbi domosdoshmërinë e mbrojtjes së integritetit territorial të Kosovës, dhe vigjilencë shtesë karshi tendencave të vazhdueshme të Rusisë mbi destabilizimin e rajonit, përfshirë këtu përmes Kosovës.
Doarsa R. Kica