Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar për miratimit të rezolutës për ndalimin e mbajtjes së referendumit të Serbisë në Kosovë.
Në një postim në Facebook ai ka shkruar se me miratimin e rezolutës Kuvendi i tha jo referendumit serb në Kosovë.
Tutje ai ka shtuar se Kosova s’do të lejojë që të shkelet rendi kushtetues dhe sovraniteti i vendit.
“Ne nuk mund dhe nuk do të lejojmë që Serbia të ushtrojë kompetencat e sovranitetit në territorin e Kosovës, sepse Kushtetuta e Kosovës ka përcaktuar qartë që Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik dhe i pandashëm. Pra, sovraniteti i vendit tonë dhe integriteti territorial i Republikës, është i pacenueshëm dhe i patjetërsueshëm. Dua t’i siguroj të gjithë qytetarët pa dallim, që ne nuk jemi kundër askujt dhe nuk mohojmë të drejtën e askujt për të zgjedhur. Por, ne nuk do të lejojmë që për qëllime politike të Serbisë, të shkelet rendi kushtetues dhe sovraniteti i vendit”, ka thënë ai.