Gjilan – Më 4 tetor 2017 Prokuroria Themelore në Gjilan ka ngritur aktakuzë ndaj personit me inicialet H.A., i cili kishte ndërruar jetë në vitin 1992.
Aktakuza në fjalë, e ngritur mbi 25 vite pasi H.A. kishte ndërruar jetë, e ngarkonte këtë të fundit me veprën penale “Lidhja e paautorizuar në shërbime”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Mirëpo, Gjykata Themelore në Gjilan, me aktvendimin e 23 tetorit 2018, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, jashtë shqyrtimit gjyqësor ka hudhur aktakuzën ndaj H.A., duke pushuar procedurën penale ndaj tij, me arsyetimin se ai kishte ndërruar jetë në vitin 1992.
Në arsyetimin e aktvendimit, thuhet se gjykata me ftesë dhe urdhëresë e ka ftuar të akuzuarin për seancë, por nga dorëzuesit e ftesës dhe policia është njoftuar se i akuzuari ka vdekur dhe kjo është vërtetuar nga qendra për shërbim të qytetarëve në Gjilan.
Tutje, në arsyetim thuhet se kjo qendër gjykatës ia ka dërguar certifikatën e vdekjes së të akuzuarit H.A., në të cilën vërtetohet se ai ka vdekur më 25 maj të vitit 1992.
“Andaj, pasi që i akuzuari H.A. ka vdekur, bazuar në nenin 253, paragrafi 1 pika 3 të KPPRK-së, gjykata ka pushuar procedurën ndaj tij dhe vendosi si në dispozitivin e këtij aktvendimi”, thuhet në arsyetimin e aktvendimit. /BetimipërDrejtësi