Prokuroria Themelore në Ferizaj, për dy raste kishte ngritur dy aktakuza, ndaj R.S. dhe E.I., të cilët i ngarkonte me veprat penale “Vjedhja e shërbimeve”, respektivisht “Vjedhja e rëndë”, edhe pse ata nuk jetonin më.
Kjo prokurori, aktakuzën e parë e kishte ngritur më 31 gusht 2020, konkretisht 17 vjet pasi R.S. kishte vdekur.
Sipas aktvendimit, Gjykata Themelore në Ferizaj, dega në Kaçanik, më 22 nëntor të vitit të kaluar duke vendosur sipas detyrës zyrtare, ka hedhur aktakuzën në fjalë dhe ka pushuar procedurën penale ndaj R.S., me arsyetimin se ai figuronte si i vdekur.
Lidhur me këtë, Gjykata e Kaçanikut kishte vendosur pasi kishte siguruar certifikatën e vdekjes të të akuzuarit, të lëshuar nga Shërbimi i Ofiçarisë në Kaçanik, ku ishte konstatuar se R.S. ishte lindur më 15 nëntor 1945, kishte vdekur më 3 tetor të vitit 2003.
Në rastin e dytë, Prokuroria e Ferizajt më 26 tetor 2017, kishte ngritur aktakuzë për vjedhje të rëndë ndaj E.I., edhe pse ai kishte vdekur tre muaj më herët.
Gjykata Themelore në Ferizaj, me aktvendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi” të 18 nëntorit të vitit të kaluar, ka hedhur këtë aktakuzë dhe ka pushuar procedurën penale ndaj E.I..
Këtë veprim, kjo gjykatë e ka marrë pasi ka siguruar certifikatën e vdekjes të të akuzuarit të lëshuar nga Zyra e Gjendjes Civile në Gjilan, ku vërtetohet se E.I. ka vdekur më 5 korrik 2017.