Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, ka thënë se PDK-ja ka paralajmëruar qysh në tetor për krizën energjetike nga e cila rrezikohej edhe Kosova.
Ai ka ka thënë se rritja e çmimit të rrymës ka ardhur si rezultat i paaftësisë së menaxhimit të situatës nga qeveria.
“Rritja e çmimit të energjisë elektrike si rezultat i paaftësisë së menaxhimit të situatës nga mazhoranca e udhëhequr nga Albin Kurti, është e papranueshme. PDK-ja ka paralajmëruar që nga muaji tetor për krizën energjetike që rrezikonte të përfshinte edhe vendin tonë, për çfarë qeveria qëndroi totalisht indiferente”, ka thënë Tahiri.
Ai ka bërë të ditur se kjo parti do të shterojë të gjitha mundësitë që nesër në seancën e Kuvendit të Kosovës të mos lejohet rritja e çmimit të energjisë elektrike për qytetarët.
Grupi Parlamentar i PDK-së, do t’i shterojë të gjitha mundësitë, që në seancën parlamentare të ditës së nesërme, të mos lejojë këtë barrë të rëndë e të papranueshme për qytetarët e Kosovës”, ka shkruar Tahiri./Zëri