Ka dështuar të miratohet në Kuvendin e Kosovës rezoluta e opozitës kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.
Nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci, njoftoi se në votim morën pjesë vetëm 30 deputetë, që nuk mjaftojnë për të marrë vendim. Në votim nuk morën pjesë deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje
“Vetëm 30 deputetë kanë marrë pjesë në votim, kështu që nuk ka pasur kuorum të mjaftueshëm për vendimmarrje”, tha Bogujevci.
Shefi i Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, mosvotimin e rezolutës nga deputetët e LVV-së e konsideroi si koordinim të tyrin me kryeministrin Albin Kurti dhe Zyrën e Rregullatorit për Energji, që e ka propozuar shtrenjtimin e rrymës.
“Ne si grup parlamentar i Partisë Demokratike nuk do të vazhdojmë më tutje të qëndrojmë në seancë sepse nuk ka çështje më të rëndësishme për qytearët në këto momente sesa hudhja poshtë e këtyre bllok-tarifave”, tha ai.
Armend Zemaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës tha se Qeveria dhe deputetët e pozitës janë pro shtrenjtimit të rrymës.
“Grupi i mazhorancës me mosvotimin tregoi se është pro shtrenjtimit”, tha ai.
Ndërkaq kryesuesja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, tha se Kuvendi s’mund të ndërhyjë në një institucion të pavarur.
“Kuvendi nuk mund të miratojë diçka që ndërhyn drejtpërdrejt në një institucion të pavarur”, tha ajo.
“Nëse duan të gjejnë zgjidhje, le të ofrojnë alternativa”, u shpreh Kusari-Lila.