Festivali i Dramës Origjinale Shqipe “Talia e Flakës”, njëra ndër katër shtyllat e manifestimit kulturor “Flaka e Janarit 2022” ka vazhduar rrugëtimin e saj me shfaqjen e natës së parafundit, ku në skenën e Teatrit të Qytetit të Gjilanit erdhi Teatri “Metropol” nga Tirana me shfaqjen “GOF” të Anton Pashkut, me dramaturgji dhe regji nga Shkëlzen Berisha.
“GOF”, e cilësuar si vepra e parë shqiptare e absurdit, e që në rrafsh formal, stilistik e tipologjik është unike, erdhi sonte për artdashësit gjilanas e më gjerë, duke e pasuruar me konvencione të reja dramaturgjikisht dhe për nga teknikat regjisoriale:
Nën këtë dritë të re dramaturgjike ngjarjet na çojnë në një kasolle malit përpjetë, ku kanë mbetur të ngujuar tre alpinistë, që ishin nisur për të shkuar në Bjeshkët e Nemuna, e që të izoluar nga orteku dhe në përpjekje për të mbushur kohën e pritjes, ata përshkojnë një rrjedhë historike të jetës së shqiptarëve ndër shekuj dhe përplasjeve të mëdha që kanë shoqëruar këtë histori, të ngjarjeve më të mëdha që shqiptarët kanë kaluar e deri më sot.
Mes durimit e mosdurimit të personazheve shfaqen copëza të shkëputura nga fjalimet e Skënderbeut, periudha e pashallëqeve, gjurmë të përpjekjeve për shtet, pjesë nga luftërat me të huajt, moskuptime mes vetes…
Synimi i përgjithshëm ishte që përmes thumbit e ironisë të nxitje reflektim, jo mesazhe. Kjo shfaqje që qëndron nën ombrellën e absurdit, ka ecur në këtë rrugë të re duke u pasuruar edhe me shtresime të satirës, sarkazmës dhe edhe momente surreale e një ngjyrim të zbehtë fizik të burleskës.
Përndryshe, në shfaqjen “Gof” luajtën Amri Hasanlliu, Endrit Ahmetaj, Julian Hurdha.
Në mbrëmjen e fundit, më 28 janar, pritet të jepet shfaqja “Stiffler” nga Doruntina Basha, me regji të Kushtrim Koliqit, prodhim nga “Integra”, ku edhe do të bëhet ndarja e çmimeve të parapara dhe do të përmbyllet Festivali i sivjetmë i Dramës Shqipe, por jo edhe aktivitetet e “Flakës…”, që do të vazhdojë deri më 31 janar, me Festivalin e muzikës për fëmijë dhe muzikës popullore si dhe Orën e Madhe Letrare.