Alternativa e vetme për të dalë nga kriza energjetike është rehabilitimi i pesë blloqeve të termocentralit “Kosova A”. Kështu mendon ish-ministri i Energjisë dhe Minierave, Ethem Çeku, që shton se as qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti nuk e ka prioritet sektorin e energjisë.
Çeku që shërbeu si ministër në periudhën 2003-2006, thotë se niveli i konsumit të energjisë elektrike atë kohë ka qenë afërsisht i njëjtë me sivjet. Sipas tij, konsumi nuk është rritur pasi nuk ka zhvillim të theksuar të industrisë në vend. Kosova, siç thotë ai, ka nevojë për energji konstante për 1200 deri 1400 megavat.
Duke iu rikthyer krizës energjetike në vend, Çeku kërkon konsensus politik për ta nxjerrë vendin nga kjo situatë e vështirë.
Ish-ministri në një intervistë për KosovaPress deklaron se kurrsesi nuk duhet të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike për ekonomitë familjare, por rritje të tarifave duhet të ketë vetëm për bizneset.
“Si duhet të dalim nga kjo krizë? Personalisht ndaj opinionin që Qeveria e Kosovës duhet ta ftojë një kompani prestigjioze ndërkombëtare, e cila do të bënte një analizë mbi blloqet e termocentralit ‘Kosova A’. Janë pesë blloqe dhe të shqyrtohet mundësia se a mund të ketë një rehabilitim të thellë të atyre pesë blloqeve me investime të mëdha. Kështu përmes tyre ta mbajmë Kosovën me furnizim të rregullt me energji elektrike. Kjo është një alternativë e parë. Alternativë tjetër duhet shikuar se a mund të ndërtojmë blloqet e ‘Kosovës e re’, për të cilën tani ka shumë pengesa për arsye se Banka Botërore dhe vendet e Bashkimit Evropian kanë ndalë fondet dhe nuk lejojnë që të prodhohet energjia nga linjiti. Kështu që alternativa e vetme është që të rehabilitohen blloqet e ‘Kosova A’”, u shpreh Çeku.
Profesori universitar, Çeku, duke mos veçuar ndonjë subjekt politik, ka fajësuar të gjitha partitë politike për dështimin e ndërtimit të kapaciteteve të reja të prodhimit të energjisë, në këtë rast realizimin e projektit “Kosova e re”.
“Politika bëri shumë gabime, në sektorin e energjisë janë bërë gabime të jashtëzakonshme. Është dizajnuar projekti ‘Kosova C’, që kishte dy faza të ndërtimit , faza e parë ishte 1 mijë megavat, dhe pastaj faza tjetër ishte plus 1 mijë MËH. Kështu mbylleshin blloqet e ‘Kosovës A’, dhe kishim blloqet e ‘Kosovës C’ të cilit projekt iu ndërrua më vonë emri ‘Kosova e re’. Patëm katër konsorciume më të mëdha botërore, të cilët ishin në garë për ta ndërtuar projektin e ‘Kosovës C’. Fatkeqësisht ndërhyrjet dhe ndryshimet e shpeshta nga politika në fushën e energjisë, ndërrimi i projekteve dhe ndërhyrjet e mëdha që u bën… Politika e ka lënë Kosovën pa energji e elektrike… Ndryshimet dhe ndërhyrjet e politikes në projektin e ‘Kosovës C’ e ka pamundësuar zhvillimin e projektit siç u pamundësua edhe projekti i gazit dhe projekte të tjera”, thotë ai.
Duke dhënë argumentet e tij, Çeku thotë se në asnjë formë nuk duhet të shtrenjtohet rryma për qytetarët konsumatorë. Ai mendon se barrën duhet ta bartin bizneset.
“Jam për një bllok-tarifë, tarifë për bizneset e mëdha dhe të mesme, e kurrsesi qytetarëve, të cilët kanë të ardhura të caktuara. Në shumicën e zonave urbane njerëzit ngrohen vetëm me energji, s’ka alternativë tjetër. Kërkojnë mos me përdorë energjinë për ngrohje, po cila është alternativa për qytetarët. A duhet të shkojmë tani t’i presim të gjitha pyjet në Kosovë, të cilat edhe ashtu janë të degraduara. Prandaj, fatkeqësisht barrën duhet ta mbajnë bizneset e mëdha të cilat mund të jenë faktorë të rëndësishëm, edhe që lejojnë ngritjen e çmimit, por që nuk e prekin pjesën sociale të popullsisë apo familjeve të cilat kanë në marrëdhënie pune dy, ose një rrogë e që duhet t’i ndajnë 150 euro për një faturë të energjisë elektrike”, shprehet ai.
Ani se Kosova është e pasur me 11 miliardë tonë thëngjill, Çeku thotë se pa konsensus, vendi do të zhytet edhe më tej në krizë
“Në qoftë se nuk ndërtohet konsensusi tash, Kosova do të zhytet edhe më thellë në krizë energjetike. Çdo qeveri që do ta merr pushtetin, apo kjo që do ta vazhdojë, do të përballet me shpenzime enorme të mjeteve buxhetore. 500 euro blejmë megavatin e energjisë në një vend ku i kemi 11 miliardë tonë linjit. Vendi i pestë në botë më i pasur në fushën e linjitit, ndërsa ne blejmë energji elektrike, kurse Kosova mund prodhojë energjinë elektrike me një shumë prej 70 euro megavatin për orë”, thotë ai.
Ish-ministri deklarohet se as kjo qeveri nuk e ka në prioritet sektorin e energjisë, megjithëse pritshmëritë e tij ishin se kryeministri Kurti do të kishte fokusin në këtë sektor.
“Fatkeqësisht edhe kjo qeveri nuk ka ekipe të ekspertëve të mirëfilltë për sektorin e energjisë. Po besoj qe kryeministri ka pasur një aftësi dhe njohuri për këtë fushë, dhe kam pritur që fokusi i parë i tij përpos atyre marrëdhënieve të jashtme, të jetë sektori i energjisë. Pikërisht këtë fushë nuk e kemi të vendosur (prioritet). Kështu nuk e kanë vendosur në prioritet. Prioritet e vendosin vetëm kur t’iu bien blloqet, kot është ajo punë. Nuk zgjidhet energjia sot për nesër”, shprehet ai.
Çeku thotë se Kosova duhet t’i hap dyert edhe për investimet e huaja në sektorin e energjisë së ripërtëritshme.