Kreu i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka paralajmëruar sërish protestë, pas asaj të djeshmes, nëse aprovohet propozimi për shtrenjtimin e energjisë elektrike.
Ai e quajti të papranueshëm këtë propozim, duke thënë se është në kundërshtim të plotë me nevojat e qytetarëve të Kosovës, përcjell Klankosova.tv.
“Të dëgjohet vullneti i qytetarëve, të kthehet mbrapsht propozimi për shtrenjtim të rrymësPabarazia socio-ekonomike në Kosovë është shumë e thellë. Çmimet, përfshirë edhe ato të produkteve bazike ushqimore e higjienike janë rritur shumë tashmë. Familjet që i përkasin shtresës së varfër dhe asaj të ulët me vështirësi ia dalin në fund të muajit”, ka shkruar Molliqaj në Facebook.
Ai kërkoi nga ZRRE-ja që nesër të mos e aprovojë këtë propozim.
“Në këtë situatë, propozimi për shtrenjtim të energjisë elektrike është absolutisht i papranueshëm dhe në kundërshtim të plotë me nevojat e qytetarëve të Kosovës. Ky propozim, i cili është në diskutim publik deri nesër, u kundërshtua fuqishëm nga qytetarët e vendit. Prandaj, kërkojmë nga ZRRE që nesër të mos e aprovojë propozimin në fjalë e ta dëgjojë zërin e qytetarëve”, ka shkruar Molliqaj.
Tutje, ai u shpreh se në të kundërtën aksionet e protestat do të vazhdojnë derisa ky vendim të kthehet prapa.