Emisari special i BE-së, Miroslav Lajçak ka dhënë detaje nga takimi i tij me presidenten Vjosa Osmani.
Ai ka shkruar në Twitter se së bashku me emisarin special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, kanë zhvilluar sot një takim me presidenten Vjosa Osmani, në ditën e parë të vizitës në Kosovë.
“Ndër të tjera, ramë dakord për nevojën e përshpejtimit të punës për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur”, ka shkruar diplomati sllovak.
Çështja e ta pagjeturve ka qenë pjesë e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel. Në shtator të vitit 2020, zyrtarët e delegacionit të Kosovës kishin deklaruar se është arritur me Serbinë një marrëveshje për të pagjeturit. Por, ata nuk patën sqaruar detajet e marrëveshjes.
Në qershor të vitit të kaluar, kryeministri Albin Kurti ka thënë se çështja e të pagjeturve është një plagë e hapur dhe se është e rëndësishme të hapen arkivat shtetërore të Serbisë.
Ndryshe, edhe mbi 1600 persona konsiderohen si të pagjetur që nga koha e luftës në Kosovë.