Pas një punë edukative e mësimore 41- vjeçare, është pensionuar profesori i kimisë në Gjimnazin Natyror të Gjilanit, Mefail Mustafa.
Në nderim të profesorit Mefail Mustafa, në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti” është organizuar një ceremoni përcjellje me ç ‘rast është vlerësuar lart puna dhe angazhimi i këtij profesori në edukimin dhe arsimimin e gjeneratave të reja.
Me një fjalë rasti është paraqitur drejtori i shkollës, Bekim Mustafa, i cili ka thënë se profesori Mefail Mustafa ishte një mësimdhënës i përkryer, i saktë, i përgatitur gjithëherë dhe i dashur për nxënës e kolegë.
Ai ka vlerësuar punën e bërë nga profi Mefail, i cili me plot sukses ka përfunduar karrierën e tij 41- vjeçare në arsim.
Profesori Mefail Mustafa, ka thënë se ka qenë krenari dhe nder për të që të punojë në një kolektiv, të atillë siç është gjimnazi dhe me kolegë çfarë i pati ai.
Ai ka uruar që edhe kolegët tjerë t’a presin me shëndet të mirë dhe me plotë suksese pensionimin.
Në këtë ceremoni të organizuar nga kolegët dhe drejtoria e shkollës profesori Mefail Mustafa është nderuar me mirënjohje dhe me dhurata që atij do t’i mbetën në kujtesë.
Ndryshe, Mefail Mustafa është i lindur në Muhoc të Bujanocit më 2 shkurt 1957.
Ai ka nisur punën në vitin 1981 në Gjimnazin “Zenal Hajdini” dhe më pas ka kryer shërbimin ushtarak. Pas kthimit nga ushtria për një kohë ka punuar në Qendrën e Mesme të Arsimit të Orientuar në Ferizaj e më pas është kthyer që të punojë në Gjimnazin “Zenel Hajdini” deri në themelimin e Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti”, ku edhe ka përfunduar karrierën prej mësimdhënësi. Profesorit Mefail Mustafa i dëshirojmë shëndet dhe jetë të gjatë, kurse breza të tërë janë falënderues për punën e tij.