Mijëra kosovarë ua mësyjnë çdo muaj terminëve për t’u pajisur me një vizë pune në Ambasadën e Gjermanisë në Prishtinë. 48 mijë e 962 qytetarë të Kosovës kanë aplikuar për viza pune vetëm në muajin janar 2022 në Ambasadën Gjermane në Kosovë.
Me rregullat e reja të punësimit që Gjermania aplikon për Ballkanin Perëndimor, kosovarëve gjatë një viti u lëshohen përafërsisht 5 mijë e 500 viza pune, që i bie rreth 450 viza pune në muaj.
Por për 450 viza pune që jepen çdo muaj përmes një procedure shorti në Ambasadën e Gjermanisë në Prishtinë vetëm në muajin janar të këtij viti kanë aplikuar 48 mijë e 962 qytetarë të Kosovës.
“Për shkak të kërkesës tejet të madhe për terminë për viza me qëllim fillimin e punësimit sipas Rregullores së Ballkanit Perëndimor, e cila i tejkalon dukshëm terminët që janë në dispozicion dhe për të siguruar mundësi të barabarta gjatë aplikimit për një termin, që nga dhjetori i vitit 2021 këta terminë jepen çdo muaj nëpërmjet një procedure të shortit. Procedura e shortit realizohet secilën herë në Ministrinë e Jashtme Federale në Berlin nën mbikëqyrjen e më shumë personave. Për procedurën e shortit në janar të vitit 2022 Ambasada i ka pranuar gjithsej 48.962 aplikime”, kanë thënë nga Ambasada Gjermane.
Nga këto mijëra aplikime në mënyrë kompjuterike përzgjidhen përafërsisht 450 terminë në muaj.
“Nga të gjitha regjistrimet, nga gjeneratori i rastësishëm i drejtuar në mënyrë kompjuterike në një procedurë të shortit janë përzgjedhur ata, të cilët e marrin një termin për aplikim në muajin e ardhshëm. Secilin muaj jepen proporcionalisht aq terminë, ashtu që në fund të vitit arrihet kontingjenti prej më së shumti 5.500 vizave që eventualisht mund të lëshohen për këtë kategori. Personat që kanë aplikuar në janar janë njoftuar se për kur u është caktuar termini në shkurt/fillim të marsit. Regjistrimet e pasuksesshme gjithashtu e pranojnë një njoftim. Kjo mund të marrë kohë pak më shumë për shkak të arsyeve teknike dhe numrit të madh të regjistrimeve”, thuhet tutje në përgjigjen e Ambasadës së Gjermanisë në Prishtinë.
Nga Ambasada Gjermane kanë thënë po ashtu se para pandemisë në vitin 2019 kanë lëshuar më shumë se 50 mijë viza, nga të cilat rreth 36 mijë kanë qenë për vizita afatshkurtra, kurse rreth 15 mijë për qëndrime afatgjata.
“Para pandemisë, në vitin 2019 Ambasada Gjermane në Prishtinë ka lëshuar më shumë se 50.000 viza. Prej tyre rreth 36.000 viza kanë qenë për qëndrime afatshkurtra (viza Schengen), si dhe rreth 15.000 viza nacionale për qëndrime afatgjata (d.m.th. për bashkim familjar, viza pune, viza studimi etj.)”, thuhet tutje.
Ndërkaq, për shkak të pandemisë COVID-19, Ambasada Gjermane në Prishtinë ka lëshuar vetëm 18 mijë viza.
“Për shkak të kufizimeve të udhëtimit të shkaktuara nga pandemia COVID-19, në vitin 2020 Ambasada Gjermane në Prishtinë i ka lëshuar vetëm 18.000 viza. Këtu përfshihen 8.000 viza afatshkurtra dhe 10.000 viza për qëndrime afatgjata. Shumica e këtyre vizave të lëshuara kanë qenë për qëllime të bashkimit familjar, meqë kjo kategori ka qenë e përjashtuar nga kufizimet e udhëtimit të ndërlidhura me pandeminë COVID-19”, kanë deklaruar nga kjo Ambasadë.
Po ashtu, Ambasada thekson se zyra e vizave në Ambasadën Gjermane në Prishtinë është njëra nga zyrat më të mëdha gjermane në mbarë botën, por sërish kërkesat i tejkalon kapacitetet e tyre.
“Në vitet e kaluara Ambasada i ka rritur dukshëm kapacitetet e përpunimit të kërkesave për viza, ashtu që zyra e vizave tani është një nga zyrat më të mëdha gjermane në mbarë botën. Mirëpo, kërkesa edhe më tej i tejkalon kapacitetet tona dhe koha e pritjes fatkeqësisht nuk mund të mënjanohet”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës. /Express