Polici Amir Hoxha është suspenduar nga puna pas adresimit të kritikave për shpenzimet e deputetëve duke shprehur pakënaqësinë e tij për mospagesën e shujtave për policët.
E lidhur me këtë ka dal me sqarim Inspektorati Policor i Kosovës, duke thënë se IPK nuk ka bërë ndonjë rekomandim për suspendim dhe se ky suspendim është bërë nga Policia e Kosovës.
Njoftimi i plotë i IPK-së:
“Inspektorati Policor i Kosovës sot që nga orët e hershme të mëngjesit ka pranuar kërkesa të shumta lidhur me suspendimin e një zyrtari policor në Drejtorinë Rajonale të Prishtinës .
Duke ju referuar kërkesave të shumta ju njoftojmë se Inspektorati Policor i Kosovës nuk është duke e trajtuar këtë rast dhe nuk ka bërë ndonjë rekomandim për suspendim dhe se ky suspendim është bërë nga Policia e Kosovës.
Bazuar në autorizimet ligjore të IPK-së hetuesit e IPK-së hetojnë të gjitha veprat penale të kryera nga punonjësit e Policisë së Kosovës, pa dallim grade dhe pozite gjatë ushtrimit së detyrës ose jashtë saj.
Rekomandimi për suspendim nga IPK bëhet në rastet e hetimit të veprave penale dhe kur është në interes të procedurës hetimore – penale”.