Gjilan – Gjykata Themelore në Gjilan ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit, J M, duke e dënuar me 4 mijë e 780 euro gjobë, pasi pranoi fajësinë se kishte paraqitur dokumentacion të rremë, me qëllim të mashtrimit në procedurat e prokurimit publik me ç’rast ishte shpallur fitues i tenderit prej 47,058.03 euro.
Aktgjykimi ndaj tij u shpall të hënën nga kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Islam Thaci, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndaj të pandehurit M, i është shqiptuar edhe dënimi plotësues ndalimin e marrjes pjesë në procedurat për dhënien e kontratave në prokurim publik prej 1 (një) viti, nga dita kur vendimi të merr formën e prerë.
Gjyqtari Islami ka njoftuar se komfor nenit 363 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 të KPPRK-së, për të akuzuarin M për veprën penale dispozitivi II, i refuzohet akuza.
Tutje, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Uka i akuzuari J M, ka deklaruar se e ka kuptuar në tërësi aktakuzës dhe e ka pranuar fajësinë për veprën penale të dispozitivit 1 të aktakuzës, përkatësisht “keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”.
Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Islam Thaçi, ka aprovuar pranimin e fajësisë nga ana e të pandehurit, me arsyetimin se pranimi i fajësisë është bërë konform përshkrimit si në dispozitivin 1 të aktakuzës, dhe se pranimi i fajësisë është bërë pas këshillimeve me mbrojtësin e tij.
Gjyqtari Thaçi, ka njoftuar që sa i përket veprës penale “rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve” të përshkruar si në dispozitivin 2 të aktakuzës, meqë prokurori i çështjes ka hequr dorë nga aktakuza, merret aktgjykim refuzues, gjegjësisht për të pandehurin refuzohet akuza.
Seanca gjyqësore ka vazhduar me deklarimin e palëve lidhur me dënimin, ku prokurori Uka i ka propozuar gjykatës që me rastin e llojit dhe lartësisë së dënimit të merren parasysh të gjitha rrethanat rënduese dhe lehtësuese në mënyrë që dënimi të jetë i arsyeshëm.
Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit J M, avokati Mustafë Musa, i ka propozuar gjykatës që me rastin e marrjes së vendimit ta ketë parasysh zbutjen e dënimit, duke kërkuar që ndaj të mbrojturit të tij, të shqiptohet një dënim sa më i butë.
Sipas aktakuzës së ngritur me 8 dhjetor 2021, gjatë muajit shtator të 2021, i pandehuri duke shkelur me vetëdije rregullat e prokurimit publik gjatë ofertës për dhënien e kontratës së prokurimit publik me titull “Renovimi dhe meremetimi i objekteve spitalore” dhe “ Rregullimi i nxehjes qendrore” në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit, në mënyrë të kundërligjshme, duke paraqitur dokumentacion të rremë, me qëllim të mashtrimit në procedurat e prokurimit publik dhe me qëllim të ndikimit në vendimin e autoritetit kontraktues në procedurën e prokurimit publik dhe kishte arritur të shpallej fitues i tenderit prej 47,058.03 euro.
Aktakuza sqaron veprimet e të pandehurit, në atë mënyrë që në dokumentacionin ofertues ka paraqitur diplomën e inxhinieres së arkitekturës F.K., duke e prezantuar si pjesë të stafit të kompanisë së tij “Tribune” Sh.P.K., pastaj duke e prezantuar një kontratë mbi vepër të cilën e ka nënshkruar në emër të F.K., duke përpiluar CV dhe referenca me përmbajtje të rreme, të kompanisë së tij, gjithashtu kishte paraqitur edhe dy referenca të lëshuara nga kompanitë “GJK Keno” dhe “TIC Consulting” duke e prezantuar F.K., se kinse e njëjta në cilësinë e inxhinieres kishte qenë pjesë e stafit mbikëqyrës të këtyre dy kompanive.
Me çka ka kryer veprën penale Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik, nga neni 415 parag. 3 lidhur me parag. 1 të KPRK-së, e dënueshme me gjobë dhe burgim deri në pesë (5) vjet./BetimipërDrejtësi.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.