Partia Socialdemokrate ka vendosur letra ngjitëse me llogon e KEDS-it në veturat zyrtare të Qeverisë së Kosovës. Sipas anëtarëve të kësaj partie Qeveria po e rrit buxhetin dhe është vënë në shërbim të kompanisë KESCO.
Nol Nushi nga PSD ka thënë se me financat që po i ndahen kësaj kompanie po i bëhet padrejtësi buxhetit publik.
“Ne sot po duam të ripotencojmë këtë padrejtësi që po i bëhet buxhetit publik dhe një tentativë tjetër për rritje të çmimit të energjisë, paramendoni të shtunën në vikend në ora nëntë e gjysmë të natës Qeveria mblidhet me urgjencë online dhe me një proces tepër jotransparent i ndanë ekstra 15 milionë euro për KEDS-in”, ka thënë Nushi.
Ai thënë në këtë periudhë me krizë energjetike vetëm KEDS po i vazhdon përfitimet ndërsa qytetarët po humbin.
“Tashmë kjo qeveri është totalisht në shërbim të Korporatës së Distribucionit të Energjisë-KEDS-it, dhe sot këto vetura të qeverisë dhe punëtorëve të kësaj qeverie nuk janë më vetura të qytetarëve dhe në shërbim të qytetarëve mirëpo këto muaj të dimrit kanë qenë totalisht vetura dhe zyrë në shërbim të KEDS-it. Për ne është e papranueshme qysh një qeveri e tërë vihet në kontrollin e një kompanie private dhe shantazhohet totalisht nga ajo”, ka thënë ai.
Ai ka deklaruar se janë në pritje të vendimit të ZRRE-së lidhur me çmimin e energjisë elektrike derisa ka shtuar se komentet më të mira për këtë çështje i kanë dhënë qytetarët përmes protestës së 29 janarit.
“Ne po i presim vendimet e ZRRE-së, mirëpo shenjat janë ogurzeza sepse një vendim i tillë të merret në gjysmë të natës, pa kurrfarë transparence, vetëm tregon çfarë vendimi do të bie edhe ZRRE-ja tash e tutje”, ka shtuar Nushi pas aksionit në oborrin e Qeverisë.