Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar pas vendimit të ZRrE-së për shtrenjtimin e energjisë elektrike, duke thënë se kjo e fundit e ka arritur qëllimin duke shtrenjtuar rrymën përtej pritjeve.
Sipas KMDLNj, ZRrE duke shtrenjtuar rrymën po rrezikon shumicën e familjeve në Kosovë, sidomos gjatë dimrit, kur pjesa dërrmuese e familjeve kosovare në mungesë të alternativave nuk kanë fare gjasa që të shpenzojnë më pak se 800 kilovat në muaj.
Sipas KMDLNj-së, rritja e çmimit të rrymës do të ketë efekt zinxhiror për të gjithë artikujt dhe shërbimet në Kosovë, duke e varfëruar edhe më shumë qytetarin e Kosovës.
“Loja me shifra për subvencione dhe lehtësime për kategori të ndryshme të konsumatorëve thjesht është një mashtrim, sa për ta qetësuar situatën. Pastaj, ndarja dhe dallimet midis konsumatorëve është një diskriminim flagrant dhe shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut. KMDLNj kishte kërkuar të ketë rritje lineare dhe të jetë e përballueshme për shumicën e qytetarëve të Kosovës ndërsa vetëm gjendja ekonomike do të duhej të ishte përcaktues për subvencionim të pjesshëm apo, në raste shumë të rënda edhe lirim nga pagesa. Vazhdimi i pagesës së rrymës për katër komunat në veri të Kosovës paraqet racizëm të shëmtuar përballë konsumatorëve të tjerë, pagues të rregullt.
Pastaj, afatizimi i shtrenjtimit për dy vitet e ardhshëm është edhe një përligje e diskriminimit për faktin se edhe nëse çmimet e energjisë elektrike bien në tregjet botërore, në Kosovë mbeten të njëjta! Rritja e çmimit të rrymës pashmangshëm do të ketë efekt zinxhiror për të gjithë artikujt dhe shërbimet në Kosovë e që do ta varfërojë edhe më shumë qytetarin e Kosovës. Do të jetë tmerrësisht e papërballueshme kjo rritje për shumicën e qytetarëve të Kosovës dhe reagimi i qytetarëve do të jetë i paparashikueshëm. Nuk ka logjikë ekonomike dhe asnjë logjikë të ketë rritje aq drastike të çmimeve kurse pagat dhe pensionet mbesin në pikën zero.
Qeveria duhet të jetë më e vëmendshme në menaxhimin e situatës sociale e jo të sponsorizojë humbjet e një kompanie private që ua ka rrjepur lëkurën qytetarëve të Kosovës që nga çasti kur e privatizoi për para të imëta këtë përbindësh gllabërues që jetën qytetarëve të Kosovës ua ka shndërruar në ferr. Definitivisht, kohë të vështira për qytetarët e Kosovës”, thuhet në reagim.