Emisari i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor Sir Stuart Peach ka qëndruar në një vizitë zyrtare në Kosovë, ku ka treguar edhe për ndryshimet që ka arritur vendi pas 22 vitesh kur kishte qenë ai për herë të parë.
Në një video-mesazh të publikuar në Twitter nga faqja e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Peach ka thënë se Kosova ka qenë gjithmonë një vend special për të.
“Kosova ka qenë gjithmonë një vend special për mua, që kur kam ardhur këtu për herë të parë në vitin 2000. Të kthehem prapë në vitin 2022, është mahnitëse të shohësh sa shumë ka ndryshuar Kosova për mirë”, ka thënë ai.
Peach ka treguar për disa nga prioritetet e tij, teksa ka përmendur edhe dialogun Kosovë-Serbi.
“Disa nga prioritetet e mia përfshijnë promovimin e institucioneve demokratike që trajtojnë krimin e rëndë dhe të organizuar dhe inkurajimin për zgjidhjen e çështjeve të trashëguara si krimet e luftës dhe personat e zhdukur. Unë gjithashtu jam duke punuar me partnerët tanë në mbështetje të dialogut Kosovë-Serbi, të lehtësuar nga BE-ja”, ka thënë Peach.
“Mbretëria e Bashkuar mbetet, si gjithmonë, një partner i palëkundur i Kosovës dhe është e përkushtuar për të trajtuar kërcënimet për stabilitetin dhe sigurinë e këtij rajoni”, ka shtuar ai.
Peach ka ardhur në Kosovë pas vizitës dyditore që pati në Serbi