Përparim Avdili, shqiptari i parë që kishte siguruar një vend në Parlamentin e Cyrihut, ka arritur të sigurojë edhe mandatin e dytë. Avdili ka garuar për Partinë Liberale të Zvicrës (FDP) dhe ka fituar gjithsej 2346 vota, që është numri më i madh në listën ku ai ka garuar, për Qarkun 9 të qytetit të Cyrihut.
Këtë e ka konfirmuar Avdili për albinfo.ch.
Avdili, gjatë mandatit të tij të parë është bërë i njohur për faktin se ka inicuar dhe realizuar me sukses disa iniciativa parlamentare, kryesisht në drejtim të avancimit të të drejtave të qytetarëve me prejardhje të huaj, në Cyrih.
Politikani shqiptarozviceran është me profesion punonjës banke, ndërsa në politikën e Cyrihut dhe më gjerë ka bërë emër si politikan konsekuent në bindjet e tij liberale.