Kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka folur pas lirimit të tij nga mbajtja pas arrestimit ditën e hënë në një aksion të partisë së tij në zyret e ZRRE-së.
Molliqaj me anë të një postimi në Facebook ka thënë se pushteti i Kurtit përdori policinë ndaj një proteste paqësore, shkruan lajmi.net.
Ai ka shtuar se pyetjeve për rritjen e çmimit të rrymës, sipas tij pushteti iu përgjigj me dhunë e disiplinë.
“Vendimeve të padrejta dhe thellimit të pabarazisë, Qeveria Kurti po i përgjigjet në mënyrën më tipike për pushtetet me mendësi autoritare: dhunë e disiplinim”, ka shkruar Molliqaj.
Postimi i plotë i Molliqajt
PËRBALLË SKANDALEVE E VENDIMEVE TË PADREJTA, PUSHTETI DON DISIPLINË
Ndaj një proteste paqësore që synim kishte zbardhjen e mashtrimit për rritjen e çmimit të energjisë, pushteti përdori policinë.
Ndaj protestuesve që u nxorrën me dhunë, pushteti urdhëroi mbajtje 48 orëshe pa ekzistuar asnjë rrethanë ligjore për një vendim të tillë.
Pyetjeve tona se sa është rritur çmimi i rrymës e sa fiton KEDS-i në krejt këtë krizë, pushteti iu përgjigj me dhunë e diciplinë.
Vendimeve të padrejta dhe thellimit të pabarazisë, Qeveria Kurti po i përgjigjet në mënyrën më tipike për pushtetet me mendësi autoritare: dhunë e disiplinim.
Pas 48 orësh izolim, u liruam të gjithë. Pa ndërruar asnjë rrethanë. Ndërkohë që prokuroria po mban ende nën arrest Nol Nushin dhe Genc Sherifin, në një farsë gjyqësore pa asnjë kuptim ligjor. /Lajmi.net/