Dardan Molliqaj, kryetar i Partisë Socialdemokrate (PSD) dhe aktivistët Natyra Kuçi, Frashër Krasniqi dhe Teuta Rrusta, gjatë ditës së sotme janë liruar nga mbajtja, pasi u arrestuan të hënën në objektin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE). Ndërsa, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar paraburgim për dy aktivistë të tjerë, N.N dhe G.SH., lidhur me protestën e 29 janarit.
Lajmin për lidhur me lirimin e Molliqajt dhe tre të tjerëve, për “Betimi për Drejtësi” e ka konfirmuar zëdhënësja për informim e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.
“Po, për katër prej të dyshuarve rasti shkon në procedurë të rregullt”, ka thënë Ulaj.
Kurse, për sipas kërkesës së prokurorisë të 15 shkurtit 2022, për paraburgim ndaj dy të dyshuarve, ekziston dyshimi i bazuar mirë se në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë në protestën e organizuar nga partia politike PSD lidhur me shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike i pandehuri N.N dhe G.SH dyshohen se kanë sulmuar zyrtarët policorë.
Tutje sipas kësaj kërkese, thuhet se i pandehuri N.N i ka goditur me grushte në fytyrë zyrtarët policorë, tani të dëmtuarit V.K dhe B.R, ndërsa i pandehuri G.SH ka goditur me shqelm tri herë dhe ka ofenduar me fjalë fyese zyrtarin policor, tani të dëmtuarin I.S.
Me këtë, sipas prokurorisë ata po dyshohen se kanë kryer veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar” nfga neni 402, par.3 lidhur me par.2 dhe 1 të KPRK-së.
“Andaj nga gjykata kërkojmë që të pandehurve tu caktojë masën e paraburgimit pasi plotësohen të gjitha kushtet ligjore në nenin 165 paragrafi 2, nënparagrafi 2.5, pika 2.5.1, 2.5.2 dhe 2.5.3 të Kodit të Procedurës Penale”, thuhet në kërkesën e prokurorisë.
Në arsyetimin e kësaj kërkese, thuhet se Policia e Kosovës më 15 shkurt 2022 ka paraqitur kallëzimin penal, po të njëjtën datë kundër të pandehurve N.N dhe G.Sh për shkak të dyshimit të arsyeshëm se secili veç e veç ka kryer veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar” neni 402, paragrafi 3, lidhur me paragrafin 2 dhe paragrafi 1 të KPRK-së.
Gjyqtarja Vlora Pacolli-Rexhepi për “Betimi për Drejtësi” njoftoi se seanca ndaj dy aktivistëve të PSD-së, është e mbyllur për publikun.
Ndryshe, Policia e Kosovës (PK) përmes një komunikate kishte njoftuar se me urdhër të prokurorit, ka arrestuar Dardan Molliqajn dhe 12 zyrtarë të PSD-së.
Ndërsa, lajmin se me urdhër të Prokurorisë Themelore në Prishtinë janë ndaluar 6 persona në kohëzgjatje prej 48 orësh për veprat penale “Sulmi ndaj personit zyrtar” dhe “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, e kishte konfirmuar po ashtu Ulaj. /Betimi për Drejtësi